Një 31-vjeçar është vënë në pranga ditën e sotme i akuzuar si autori i atentatit kundrejt pronarit të shkollës private “Wilson”, Lulëzim Masha.
Ngjarja e cila ndodhi më 18 janar të këtij viti, zbuloi se 63-vjeçari Lulëzim Masha teksa ishte duke udhëtuar me mjetin e tij tip “Mercedenz Benz ML” pranë Liqenit të Thatë, u qëllua me breshëri plumbash pistolete.
Autori 31-vjeçar, Skënder Tasi, është arrestuar nën akuzën “Vrasja me paramendim” e mbetur në tentativë dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”. 31-vjeçari është kapur nga forcat e rendit tri muaj pasi ishte shpallur në kërkim, thanë burimet e Gazetës Shqiptare.
Njoftimi i Policisë:
‘S. T., 31 vjeç, për veprat penale “Vrasja me paramendim” e mbetur në tentativë, dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”. Ky shtetas me datë 18.01.2022, te nënkalimi te Liqeni i Thatë, ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të mjetit me drejtues shtetasin L. M., 63 vjeç”, thuhet ne njoftimin e policisë
Si ndodhi ngjarja:
Lulëzim Masha, 63 vjeç, pronar i shkollës private “Wilson” ka qenë duke lëvizur me automjetin e tij tip “Mercedez Benz ML”, ku në drejtim të tij u qëllua me plumba pistolete. Agresori nuk mundi ta përfundonte qëllimin e tij dhe është larguar menjëherë nga vendi ngjarjes.
Administratori i shkollës “Wilson” kishte vetëm pak minuta që ishte larguar nga ambientet e punës dhe krejt i vetëm po zbriste nga Kodrat e Liqenit Artificial.
Në afërsi të nënkalimit të Liqenit të Thatë ai u qëllua me tri plumba. Dy prej plumbave “përfunduan” në makinën e 63-vjeçarit ndërsa Skënder Tase, u largua me vrap nga vendngjarja.
Dëshmia e Lulëzim Mashës:
I marrë në pyetje nga hetuesit, 63-vjeçari është shprehur se prej disa kohësh kishte vërejtur një të ri që e vëzhgonte në ambientet e shkollës “Wilson” ku ai vetë administron.
Masha rrëfeu në polici se nuk i ka kushtuar shumë rëndësi pasi për shkak të mungesës së konflikteve, nuk e ka cilësuar si problematike dhe nuk i ka lënë vend për dyshime.
Masha dha dhe detaje të autorit ndërsa sipas tij personi që ka kryer atentatin ka qenë shumë i ngjashëm më atë që e ruante në ambientet e shkollës.
Masha e përshkoi agresorin si një person me mjekër rreth të 30-ave, pak esmer dhe me kapele. Më herët është marrë në pyetje është edhe i vëllai, Fatmir Masha, i cili rezulton i dënuar me 15 vite burg për vrasje. Hetuesit ngritën dyshime se ngjarja mund të ketë ndodhur për hakmarrje, por pista u përjashtua.



