Ati i Shenjtë përcillet sot për në banesën e fundit, ceremonia në sheshin “Shën Pjetri”! Besimtarë dhe liderë nga e gjitha bota mblidhen në Romë, ja kush do e përfaqësojë Shqipërinë

Sot do të mbahet ceremonia e varrimit të Papa Françeskut në Sheshin “Shën Pjetri”, ku trupi i tij do të përcillet më pas nëpër rrugët e Romës drejt Kishës së “Santa Maria Maggiore”, ku do të prehet. Varri do të jetë i përbërë nga mermer ligurian dhe do të mbajë vetëm mbishkrimin “Françesku” dhe një kryq. Gjatë këtij udhëtimi, që do të zgjatë rreth 5 kilometra, besimtarët dhe qytetarët do të kenë mundësinë t’i japin Papa Françeskut lamtumirën e fundit.


Zyra e Protokollit të Sekretariatit të Shtetit të Vatikanit ka raportuar se janë konfirmuar 130 delegacione për funeralin e Papa Françeskut, që do të mbahet këtë të shtunë, nga të cilat rreth 50 krerë shtetesh dhe 10 sovranë mbretërorë. Shqipëria do të përfaqësohet nga Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, i cili ka mbërritur në Itali për këtë ngjarje.

Pjesëmarrës të tjerë të rëndësishëm janë Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, i shoqëruar nga Zonja e Parë Melania Trump, si dhe Princi William i Britanisë, që do të marrë pjesë në emër të Mbretit Charles, i shoqëruar nga Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Keir Starmer. Po ashtu, do të jenë të pranishëm Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, Presidenti francez Emmanuel Macron dhe shumë liderë të tjerë botërorë.

Ceremonia do të jetë gjithashtu e pranishme për refugjatët, emigrantët e jashtëligjshëm dhe të varfrit, si simbol i përkushtimit të Papës ndaj më të pamundurve. Meshën funerale do ta kryesojë kardinali Giovanni Battista Re, dekan i Kolegjit të Kardinalëve, dhe do të kremtohet nga patriarkë, kardinalë, peshkopë dhe priftërinj nga mbarë bota.

Për sigurinë, rreth 2.000 policë do të jenë në detyrë, ndërsa një numër i madh oficerësh të tjerë do të angazhohen për përforcimin e sigurisë kombëtare. Masat janë ngritur në nivelin më të lartë për shkak të pjesëmarrjes së liderëve botërorë, dhe të gjitha rrugët përreth Vatikanit do të mbyllen të shtunën. Po ashtu, në Romë do të aktivizohen sisteme kundërdron dhe kundërraketë për siguri maksimale.

Bazilika e Shën Pjetrit qëndroi e hapur deri në orën 02:30 të mëngjesit të së enjtes dhe u rihap në orën 05:40 të së premtes, duke lejuar besimtarët të nderonin Papën deri në orën 18:00 të së premtes, kur u mbyll për publikun. Mbi 150.000 besimtarë kanë kaluar për të dhënë nderimet e fundit gjatë këtyre ditëve.

Në mbrëmje, do të zhvillohet edhe rituali i mbylljes së arkivolit, ndërkohë që në Kishën “Santa Maria Maggiore” janë duke u përgatitur për ceremoninë e varrimit, ku Papa Françesku do të prehet përgjithmonë.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme