Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë së Veriut ka konfirmuar se më 17 korrik është arrestuar një shtetas i Kosovës, bazuar në një fletarrestim të lëshuar nga Serbia.
“Me datë 17.07.2024 në ora 16:00 në vendkalimin kufitar Jazhincë, me të hyrë në shtet, zyrtarët policorë e kanë ndaluar B.R. (47 vjeçar) nga Kosova pasi gjatë kontrollit të pasaportave është konstatuar se ai ishte i regjistruar me “Apsi” me kërkesë të Serbisë dhe ai i është dorëzuar autoriteteve në Tetovë për veprime të mëtutjeshme”, tha Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë së Veriut.
Lajmi për ndalimin e shtetasit nga Kosova është bërë i ditur fillimisht nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës në Kosovë.
“Fjala është për zotin Blerim Ramadani, ish-anëtar i Zonës Operative të Nerodimes të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, tha MPJD-ja.
Arrestimi u krye në pikëkalimin kufitar Jaznicë-Glloboqicë, që lidh Kosovën me Maqedoninë e Veriut.
MPJD tha se ambasadori i Kosovës në Maqedoninë e Veriut është duke u angazhuar në këtë rast dhe autoritetet po punojnë për të siguruar lirimin e shpejt të Blerim Ramadanit.
Së fundi, autoritetet në Serbi kanë arrestuar edhe katër shtetas të Kosovës, të cilët Beogradi i ka akuzuar për krime lufte.
Autoritetet kosovare e kanë cilësuar si arbitrare dhe të padrejta arrestimin në Serbi të qytetarëve kosovarë për këto akuza dhe kanë kërkuar ndihmën e faktorit ndërkombëtar për lirimin e tyre.
Në fillim të korrikut, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, përmes një letre dërguar homologes serbe, kërkoi transferimin e shtetasve të Kosovës, që po mbahen në Serbi.
Megjithatë, Haxhiu deklaroi se vështirë se Serbia do t’i përgjigjet kërkesës së autoriteteve kosovare për ekstradimin e shtetasve të Kosovës, për shkak të mosbashkëpunimit të vazhdueshëm juridik.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se shteti i tij ka juridiksion të njohur ndërkombëtarisht mbi trajtimin e veprave që kryhen brenda territorit të saj.
Serbia, në strategjinë e vet kombëtare 2021-2026 për ndjekje të krimeve të luftës, pretendon se ka juridiksion për të vënë drejtësi për krimet e kryera gjatë konflikteve të armatosura në vitet ’90.
Kosova dhe Serbia arritën Marrëveshje për Ndihmë të Ndërsjellë Juridike, më 2013, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, por bashkëpunim mes tyre për rastet e krimeve të luftës nuk ka pasur pothuajse fare.
Ndërkaq, Shtetet e Bashkuara kanë bërë thirrje për proces të drejtë ligjor për personat e arrestuar në Serbi nën akuza për krime lufte.