Autor: Elmazi Isufi
Me afro 3 miliardë euro investime në prodhimtari, Kosova brenda 10 vjetëve do t’i kishte afro 150 mijë të punësuar më shumë. Por në vend të tyre ajo do t’i ketë tri autostrada, dy prej të cilave që e lidhin me Serbinë. Kosova me mungesë të sundimit të rendit e ligjit, me korrupsion e krim të organizuar, nuk do ta ketë buxhetin 2.5 miliardë, e as perspektivë për ndërmarrësit e saj dhe investitorët e huaj. Edhe më pak mundësinë ta bëjë të lumtur një njeri të papunë e të varfër, qoftë edhe për një ditë të vetme
Qeveria ka ndërmarrë disa nisma ligjore me qëllim të joshjes së investitorëve, kryesisht të huaj, që të sjellin kapitalin e tyre në Kosovë. Në mesin e tyre është krijuar mundësia që Qeveria të negociojë e edhe të arrijë marrëveshje me subjekte të interesuara për investime, një praktikë që nuk ka qenë e mundur deri me miratimin e Ligjit për investime strategjike.
Por presioni që të arrihen caqet ekonomike në afat sa më të shkurtër mund të sjellë efekte të padëshiruara. Hapja e dyerve për kapitalin e huaj nëpërmjet dyerve të mëdha, duke anashkaluar procedurat “burokratike”, ka shumë shanse që të përmbysë parashikimet dhe të mos i japë kah ekonomisë në drejtim pozitiv.
Dilema ka qenë dhe mbetet ende nëse për projekte serioze duhet ndjekur procedurat e stërzgjatura, deri në finale, kur duhet siguruar vullneti i deputetëve që jo vetëm janë subjektivë, por edhe për nga niveli profesional disa prej tyre lënë shumë për të dëshiruar. Apo duhet zgjedhur rrugën e shkurtër, kur i tërë procesi i besohet kabinetit qeveritar, ashtu si në vendet e rajonit ku është instaluar modeli i thjeshtësimit.
Ligji i jep fuqi vendimmarrëse Qeverisë
Por a mund t’i zihet besë një strukture politike së cilës i jep fuqi ligji, e cila nuk mbahet mend për asgjë të mirë. Një klase politike që për 17 vjet ka dështuar të konsolidojë KEK-un që e kishte plotësisht nën kontroll, apo të gjejmë diçka më pak problematike se energjetika – trajtimin e bërllokut dhe të ujërave të zeza. A mund të menaxhojë pazare të mëdha kjo qeveri që për një vit e tepër ka dështuar t’i furnizojë qytetarët me targa të automjeteve e që edhe të gjitha proceset e tjera tenderuese i ka shoqëruar me skandale dhe përpjekje mashtrimi.
Përvojat e deritashme kanë dëshmuar se lidershipi politik i Kosovës, jo vetëm që është burim i faktorëve që pengojnë investimet e huaja direkte (korrupsioni, krimi i organizuar, mossundimi i rendit dhe ligjit…), por edhe që nuk ka vizion për të ardhmen ekonomike të Kosovës. Të gjitha veprimet, përfshirë edhe ato në infrastrukturën ligjore me të cilën mburren ata, janë më shumë imitim i praktikave që ndjekin vendet e tjera, sidomos të rajonit.
Të gjitha marrëveshjet që janë bërë nëpër vite me kompanitë e huaja, qoftë nëpërmjet privatizimit të ndërmarrjeve publike, të ndërmarrjeve shoqërore apo të partneritetit privat-publik, nuk kanë prodhuar efekte në konsolidimin ekonomik të tyre, edhe më pak në zbutjen e papunësisë.
Këta “gjigantë” të huaj, që nuk mund të quhen investitorë, por blerës të pronave, në të vërtetë i morën ndërmarrjet kryesore me të gjithë organikën e tyre. Zotëruan lëndën e parë, teknologjinë, pronën dhe fuqinë punëtore. U mjaftoi të angazhonin disa menaxherë që të kujdeseshin për rritjen e prodhimit dhe për plasmanin e tij në treg. Ky tip i investimeve nuk ka tjetër emër përveç “eksploatues” dhe Kosova është terren i përshtatshëm për kompani dhe adresa që nuk shquhen për korrektësi as në vendet e tyre të origjinës.
I lusin të huajt për grante me vlera simbolike
Qeveria e Kosovës jo një herë është mburrur për aftësinë e saj që të bindë Bankën Botërore, Fondin Monetar Ndërkombëtar apo institucionet e tjera financiare që t’i japin hua e kredi “të buta”. Më shumë se me vlerat dhe ndikimin e atyre parave në ekonominë dhe mirëqenien e qytetarëve, Qeveria ato marrëveshje besimi të ndërsjellë i ka përdorur për të dëshmuar para opinionit për kinse qasjen e saj konstruktive të planifikimit dhe shpenzimit të parasë publike.
Por a ka kuptim të vrapojë pas “parave të imëta” (ta zëmë si kredia për pajisjet e Kardiologjisë), një vend që ka potencial t’i harxhojë nga afro 300 milionë euro në vit vetëm për autostradë. Apo qeveritë që 17 vjet pas luftës na bënë me turp, meqë nuk kanë mundur të rehabilitojnë një fushë futbolli me standarde ndërkombëtare.
Si mos ta quash të padenjë për strategji investuese Qeverinë që harxhon qindra miliona euro në vit në një projekt të vetëm dhe po e njëjta e shndërron në histori përplasjesh partiake një kredi për 50 autobusë.
Nëse ne kemi potenciale që të ndajmë qindra miliona euro për investime luksi (se s’mund të quhet ndryshe për një vend në zhvillim), siç janë autostradat që lidhin qytetet e largëta njëra me tjetrën nga 30 deri 40 kilometra, atëherë çfarë na duhej krejt ajo zhurmë për Brezovicën, për KEK-un, për Trepçën, për sistemin e furnizimit me ujë dhe ngrohje.
Një vend pune 12 mijë euro
Sipas studimeve të Bankës Botërore, krijimi i një vendi pune në vendet në zhvillim kap koston prej afro 12 mijë eurosh. Që i bie se për 10 mijë vende pune nevojiten afro 120 milionë euro. Tashmë i kemi shuar mundësitë e hapjes së mbi 100 mijë vende të reja pune me investimet në autostradën “Ibrahim Rugova” të kryer pjesërisht, që ka kapur koston e afro një miliard eurosh, dhe të asaj Prishtinë – Hani i Elezit, që mban emrin “Arbër Xhaferi” me koston e afro 600 milionë eurove. E jemi rrugës t’i shuajmë edhe dhjetëra e mijëra vende të tjera pune me projektin e promovuar këtë vit të autostradës Prishtinë-Gjilan-Konqul (Bujanoc).
Në vend se ky potencial mbi 2-miliardësh të orientohej në prodhim dhe tash te kemi normën e papunësisë në 15 për qind, ne përballemi me nivelin prej 40 për qind të papunësisë e të varfërisë.
Kosova sipas statistikave ka afro 250 mijë të punësuar në të dy sektorët, publik e privat. Një vend me më pak se 2 milionë banorë nuk mund të ketë potencial të fuqisë punëtore në më shumë se 500 mijë veta.
Nëse me afro 250 mijë të punësuar Kosova ka bruto prodhimin vendor që shkon në afro 6 miliardë, atëherë me afro 150 mijë të tjerë, GDP-ja do të rritej edhe për 3 miliardë, ndërsa buxheti vjetor në 2.5 miliardë. Do të rritej fuqia konsumuese dhe kjo garanton më shumë perspektivë për prodhues. Përfitimet zinxhir do të ishin aq të mëdha, sa paralelisht me përmirësimin e normës së punësimit do të rriteshin kapacitetet për investime kapitale, përfshirë infrastrukturën rrugore.
Nuk do të kishim nevojë t’i falnim e as t’i jepnim me vlera zhvleftësuese pasuritë tona, meqë me ndërhyrjen financiare shtetërore (Kosova për 10 vjet po del se mund t’i ndajë gati 3 miliardë), apo me partneritet privat-publik do të mund t’i rivitalizonim dhe t’i menaxhonim edhe për shumë vjet. Me 150 mijë më shumë të punësuar do të kishim më pak nevojë për asistencë sociale. Me shtrirjen e punësimit në qytetet e tjera, jo si tash të koncentruar në Prishtinë, do të kishim më pak emigrim të brendshëm. Nuk do të kishim nevojë për falje e amnisti për mospagesën e shërbimeve publike dhe më shumë ekonomi familjare që do të rrisnin cilësinë e jetesës së tyre. Pra, më shumë investime në shëndetësi, bujqësi, edukim, sport, kulturë, ambient, e më pak shpenzime për rehabilitim, për burgje e për të burgosur.