Dhjetëra avionë mallrash amerikanë që transportonin armë dhe municione të rënda kanë zbritur në Izrael ditët e fundit në mes të luftës së vazhdueshme në Gaza dhe një përshkallëzimi të mundshëm ushtarak kundër Iranit, tha media izraelite, transmeton Anadolu.
Sipas transmetuesit publik KAN, avionët C-17 transportuan armë dhe municione nga bazat amerikane në mbarë botën në bazën ajrore Nevatim në Izraelin jugor.
Dërgesat përfshijnë bomba të rënda MK-84 dhe municione të tjera për të mbështetur operacionet ushtarake në Gaza dhe për t’u përgatitur për një sulm të mundshëm ndaj Iranit në koordinim me SHBA-në nëse bisedimet bërthamore në vazhdim midis Washingtonit dhe Teheranit dështojnë, tha KAN.
“Dërgesat përfshijnë gjithashtu raketa interceptuese të destinuara për sistemet amerikane të mbrojtjes ajrore THAAD të vendosura në rajon”, shtoi media izraelite.
SHBA-ja dhe Irani mbajtën raundin e tyre të parë të negociatave indirekte në Oman javën e kaluar. Një raund i dytë është planifikuar për të shtunën.
Sipas KAN-it, Izraeli pritet të pranojë mijëra municione shtesë në javët e ardhshme për të rimbushur depot e armëve, të cilat ishin boshatisur gjatë luftës së tij në Gaza.
Nuk kishte asnjë konfirmim zyrtar nga autoritetet izraelite mbi lajmin.
Ushtria izraelite rifilloi sulmet vdekjeprurëse në Gaza më 18 mars, duke prishur një marrëveshje armëpushimi dhe shkëmbimi të të burgosurve që hyri në fuqi në janar.
Të paktën 51.000 palestinezë, shumica prej tyre gra dhe fëmijë, janë vrarë në Gaza nga sulmet brutale izraelite që nga tetori 2023.
Gjykata Ndërkombëtare Penale lëshoi urdhra arresti nëntorin e kaluar për kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrin e tij të Mbrojtjes Yoav Gallant për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.
Izraeli gjithashtu përballet me një çështje gjenocidi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për luftën e tij në enklavën palestineze.