Gati dy vjet pasi kishte filluar, gjykimi për të ashtuquajturin “Grupi i Kumanovës”, ka ardhur në pikën e fundit.
Shkalla e parë, vendimin e saj për të akuzuarit do ta shpallë më 17 tetor, raporton KTV.
Por, mbrojtja qysh tani ka sytë në shkallët e tjera të drejtësisë, pasi që thotë se trupi gjykues, në shumicën e kohës ka qenë në vijë të njëjtë me prokurorinë, dhe nuk kanë shpresë në një vendim të drejtë.
Naser Raufi, avokat që përfaqëson 12 nga të akuzuarit, përmend faktin se qindra prova të propozuara e dëshmitarë që janë kërkuar për të dëshmuar, janë refuzuar nga trupi gjykues.
Avokati tjetër, Mefail Asllani, në këtë proces ka përfaqësuar 4 të akuzuar, 3 prej të cilëve nga Kosova.
Asllani thotë të jetë ndier në siklet gjatë fjalës përfundimtare, pasi, sipas tij, nuk është vërtetuar gjendja faktike dhe nuk është kuptuar e vërteta e këtij rasti.
29 personat që po gjykohen, nga Prokuroria maqedonase akuzohen për veprat ‘terrorizëm’ dhe ‘pjesëmarrje në organizatë terroriste’.
Përleshjet e armatosura të grupit që njihet si “Grupi Kumanova” me policinë maqedonase më 9 e 10 maj të vitit 2015, kishin lënë 10 të vdekur nga grupi dhe 10 policë maqedonas.
Rishtazi, në një prej gjykimeve më kundërthënëse në Maqedoni, rastin e njohur si “Monstra”, Prokuroria Publike ka kërkuar anulimin e vendimeve të shkallës së parë dhe të Apelit, për të nisur një proces të ri gjyqësor.
Për rastin “Monstra”, gjashtë shqiptarë janë të dënuar me burgim të përjetshëm, pasi gjykata i kishte gjetur fajtorë për vrasjen e 5 maqedonasve në Smilkovcë.