Gazetar: Adrian Kerimi
Avokati i Shtetit i hedh fajin Ministrisë së Financave për mosveprime ligjore në lidhje me evidentimin e hipotekës ndaj një pjese të pronës së Televizionit Alsat.
Sipas këtij institucioni, veprimi i tyre është bërë me kërkesë të dikasterit të Financave, ndërsa shqyrtimi i listave pronësore para kërkesës për përmbarim dhe shitje publike është kompetencë ekskluzive e Financave.
“Avokatura Shtetërore udhëheq lëndë me kërkesë të Ministrisë së Financave dhe në përputhje me të dhënat e siguruara nga lista pronësore. Vlerësojmë se vendimet gjyqësore nuk komentohen. Veprimet e Avokatit të Shtetit janë të përcaktuara me ligj para gjykatave dhe organeve të tjera shtetërore”, thonë nga Avokati i Shtetit.
Ndërkohë nga Ministria e Financave heshtin prej ditësh mbi qëndrimet e Avokatit të Shtetit por edhe Agjencisë së Kadastrës e cila ditë më parë dëshmoi se masa e hipotekës është pasojë e një lëshimi institucional nga gjykata.
Avokati i Shtetit ka proceduar mbi lëndën e Financave e cila nuk ka marrë parasysh provat e gjykatës dhe Agjencisë së Kadastrës në të cilat dëshmohet dhe vërtetohet se prona në katin e 9 në QT “Mavrovasja” nuk është nën hipotekë.
Madje ky dikaster nuk ka marrë parasysh as faktin se nën emrin e kësaj prone, kompania “VEVE Group” kishte shfrytëzuar disa kredi, për të cilat gjithashtu ishte vërtetuar nga gjykata dhe kadastra se prona nuk ndodhet nën asnjë masë hipoteke.
Listat pronësore nga vitit 2009 deri në vitin 2012 dëshmojnë se prona nuk ndodhet nën asnjë masë si pasojë e ndonjë kredie të mëparshme, ndërsa në vitin 2013, disa vite pasi kadastra në bazë të ndryshimeve ligjore kishte marrë të drejtën për udhëheqjen e librave publike për hipoteka, në një procesverbal të shkruar me dorë evidentohet një hipotekë e një kredie të vitit 1993 e kompanisë Euro Produkt, e cila për shkak të mosrespektimit të masës, kishte përfunduar me proces gjyqësor në vitin 1997./ Alsat.mk