Komisioneri europian Dimitris Avramopoulos në një konferencë speciale të shtypit duke komunikuar lajmin për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës tha se jam i kënaqur të konfirmoj se puna e madhe e Kosovës ia ka vlejtur, shkruan Koha.net.
“Kosova i ka plotësuar të gjitha kriteret, dhe kjo nuk ishte e lehtë. Do të doja të uroja institucionet e Kosovës për punën e madhe që ka bërë. Së pari me demarkacionin që ishte e rëndësishme për liberalizimin e vizave. Jam i vetëdijshëm për vështirësitë.
Kosova duhet të vazhdojë edhe më tutje që të sigurojë qëndrueshmëri, prandaj puna duhet të ketë vazhdimësi. Ka pasur bashkëpunim shumë të mirë ndërmjet Kosovës dhe shteteve të BE-së. Liberalizimi vjen me të drejta por edhe me obligime. Politika jonë nuk ka të bëjë vetëm me lejimin e lëvizjes së lirë, kemi një autoritet që është aprovuar së voni që mbikëqyrë lëvizjen e lirë.
Kemi edhe mekanizimin për suspendimin e liberalizimit të vizave, pasi ka kritere të ndryshme dhe kjo vlen edhe për Kosovën. Nga liberalizimi do të përfitojnë qytetarët e Kosovës. Ky është një fillim për bashkëpunim më të ngushtë ndërmjet Kosovës dhe BE-së.
Shumë shpejtë i gjithë Ballkani Perëndimor do të udhëtojë pa viza”, përfundoi ai.