Babai i një vajze të vogël, e cila u përdhunua dhe më pas u vra, tha se e ndoqi ekzekutimin e autorit të këtij krimi me çlirim dhe gëzim.
Yahya Almatari ishte në ballë të turmës prej mijëra personash, e cila ndoqi ekzekutimin publik të Muhammad al Maghrabi, i cili u qëllua nga afër me një AK-47.
41-vjeçari u dënua nga një gjykatë e Sharias në Jemen për përdhunimin dhe vrasjen e vogëlushes 3-vjeçare, Rana Almatari.
Ai ishte fqinj me familjen e Ranas, të cilën e rrëmbeu nga rruga.
Duke folur për DailyMail, babai i vajzës tha: “Ndjehem sikur kam rilindur. Kjo është dita e parë e jetës sime. Jam i çliruar tani”.
Të tjerë anëtarë të familjes së vajzës thirrën: “Rroftë drejtësia”, teksa autori i krimit u soll në sheshin e ekzekutimit.
Vrasësi i vajzës u detyrua të ulët në një tapet, me duart e lidhura nga pas.
Një oficer policie e qëlloi pesë herë në shpinë me kallash, duke e vrarë në vend.
“Drejtësia e Zotit mbizotëroi. Pashë vrasësin e vajzës time teksa ekzekutohej në sheshin Tahrir, më pas shkova me të afërmit e mi në spital, ku gjendej trupi i Ranas në morg. E morëm trupin e vogël dhe e varrosëm në një varrezë aty pranë. Unë dhe gruaja ime i jemi mirënjohës Allahut për drejtësinë”.
Ekzistonte frika se vrasësi do të linçohej nga turma përpara se të ekzekutohej.
Al Maghrabi e rrëmbeu vajzën e vogël teksa ajo po luante në rrugë ditën e Bajramit.
Ai e përdhunoi dhe më pas e mbyti me duar.
Edhe më pas ai e përdhunoi trupin e pajetë të vajzës dhe e hodhi atë pranë një xhamie.
Ngjarja ka shokuar opinionin publik në vendin që ndodhet në prag të luftës civile.
Policia mendon se Al Maghrabi, me origjinë marokene, e kishte planifikuar ngjarjen.
Ai u arrestua dy ditë pas krimit.