Ora News ishte në shtëpinë e Fildes Hafizit, gjyqtares së ndjerë të ekzekutuar dy ditë më parë nga ish-bashkëshorti. Nën dhimbje, familjarët flasin për një ngjarje të paralajmëruar, dhunë dhe kërcënime në prani të fëmijëve. Ndërsa prindërit e të ndjerës, tashmë të mbetur pa shtëpi, kërkojnë ndihmën e shtetit për të rritur dy fëmijët e mitur, Melisën dhe Arlindin.
Është folur kaq shumë për reformën në drejtësi dhe korrupsionin e gjyqtarëve sa pjesa më e madhe e shqiptarëve mendojnë se çdo gjyqtar jeton në luks, në ndonjë vilë apo apartament luksoz.
Nuk ka qenë ky fati dhe me sa duket edhe zgjedhja e nënës së dy fëmijëve, 38 vjeçares Fildes Hafizi.
Në këtë pallat ku siç duket nuk kanë mbërritur ende bojrat dhe rikonstruksionet e demokracisë, familjarë dhe të njohur të gjyqtares së Shkodrës së ekzekutuar me gjakftohtësi nga ish-bashkëshorti, vijnë për të ngushëlluar prindërit dhe dy fëmijët e saj.
Për aq sa ngushëllim mund të ketë në trupat e mpirë dhe zemrat e vrara të njerëzve me të cilët Fildesi jetonte në këto mure të plasaritura dhe mobilje modeste.
Pasuria më e madhe gjendet në këto rafte të mbushur plot e përplot me libra e manuale.
Arlindi dhe Melissa e quajnë shtëpia e lirisë, pavarësisht kushteve dhe varfërisë ku jetojnë pas divorcit të së ëmës nga babai, falë këmbënguljes së vetë fëmijëve, siç dëshmojnë familjarët.
Melissa: Kemi qenë një të tre. Na thoshte ne jemi një trup i vetëm.Gjithmonë na e ka thënë. Ajo ka sakrifikuar çdo gjë për ne. Ditën kur ka vendosur që do të ndahet, ka vendosur që do të ndahet vetëm se atë ditë kemi qenë unë dhe Arlindi përtokë, ishim duke qarë, duke iu lutur. Nuk duronim dot më, ishim duke u shkatërruar. Nuk donim të shkonim as në shtëpi pas shkolle. Dhe kur e ka vendosur më ka thënë: Unë e kam vendosur me koshiencë që sot mund të kisha vdekur dhe ka mundësi mund të vdes.
Arlindi: Jetoi dy vjet e lirë dhe bëri çdo gjë për ne, sakrifikoi jetën për ne në fund fare. Është gjëja më e bukur që kam parë ndonjëherë, nuk kam fjalë. Nuk e di.
Prindërit e Fildesit thonë se e gjejnë forcën për të jetuar pas vrasjes së të bijës tek dëshira për ti qëndruar pranë mbesës e nipit, tashmë jetim.
Bynjamini kujton me dhimbje sakrificat që ka bërë për ti mundësuar gjyqtares së vrarë shkollimin dhe realizimin e ëndrrave të saj.
Bynjamin Hafizi: Ngjarja e saj ishte fatkeqe, nuk e kam nxit kurrë me u nda nga familja se nuk donin fëmijët. Por ishte kaq e lodhur, kaq e frikësuar, kaq e tmerruar, sa këta dy fëmijë që në moshë të vogël sa u ka thënë u ka ardh i ati, kanë hyrë poshtë dyshekëve dhe janë fshehur.
Nafie Hafizi: Kjo është e vërtetë.
Bynjamin Hafizi: Mora vendimin e Kavajës, skandaloz.Gjithë atë ngjarje e kthyen në një fjalë boshe: Dhunë në familje.Ata nuk ishin familje, ishte e ndarë.Kishte 6 muaj. Ishte vajza ime, nuk ishte më gruaja e tij, ishte nëna e fëmijëve.
Tanimë, kur bota i është shembur nën këmbë, me karakterin e fortë të një shkodrani, jep mesazhe për gratë dhe vajzat që jetojnë nën terroin e dhunës së bashkëshortëve.
Bynjamin Hafizi: U bëj thirrje të gjithë grave, të gjitha vajzave, të gjitha nënave. Bëhuni trime dhe mos pranoni. Ai që e rreh gruan, ai që vret gruan është mashkulli më i poshtër. Jo mashkull, nuk duhet me qujt mashkull. Kafsha më e poshtër e shoqërisë njerëzore.
Nafie Hafizi nuk është në gjendje të mirë shëndetësore ndaj dhe muajt e fundit ka jetuar nën përkundesjen e Fildesit dhe fëmijëve të saj.
Nuk mendon më për jetën e saj, por për plagën që i hapi vrasja e së bijës që e shikon sa herë flet sikur pret miratim prej saj.
Nafie Hafizi: Kërkoj ndihmë që këta fëmijë ti rris siç ka dashur ajo. Kam harruar çfarë më ka gjetur mua. Mua më raftë pika!Po nuk bjen pika. Kam harru se du me jetu me i rrit këta fëmijë.
Të dy janë pensionistë dhe druhen se çfarë do të ndodhë pas disa viteve me fëmijët e Fildesit në kohën kur nuk kanë as shtëpi dhe as të ardhura të tjera përveç pensionit.
Nafie Hafizi: Më ka lënë detyrë shumë të vështirë, ne jemi dy pleq. Sa të kem jetë do të mundohem me i rrit. Por nuk kam mundësi me i rrit si ka dashur ajo. Kushtet ekonomike i kanë shumë të vështira. Jemi dy pleq me dy pensione. Ne kemi prit me e marrë rrogën Desi, jemi në shtëpi me qira. Që me 1 shtator jemi të gjithë jashtë. Unë me dy fëmijë jam jashtë dhe me plakun.
Arlindi mbush 15 vjeç në muajin nëntor, nxënës me rezultate të shkëlqyera që do të ndjekë studimet e larta, i frymëzuar nga nëna e tij. E quan idhull dhe heroinë, dhe për këtë simbolikisht kanë dhënë tituj vlerësimi për mamin e tyre, gjatë kohës që jetonin të tre.
Arlindi: Ka qenë heroinë që nuk ka fjalë me e përshkru. Ka sakrifikuar çdo gjë për ne përditë.Në kushtet më të vështira që vetëm ne i dimë, sepse ne kemi jetuar atje.
Melissa: Është dashuria ime e parë, është heroinë.
Për babain vrasës, Arlindi thotë se kanë jetuar nën terrorin e dhunës psikologjike dhe e përshkruan si një njeri me temperament të frikshëm. Edhe familjarët flasin për një ngjarje të paralajmëruar, me kërcënime të shtuara pasi Fildesi refuzoi rikthimin me ekzekutorin e saj.
Melissa: Unë dhe Arlindi nuk ia kemi ditur kurrë kuptimin fjalës babë, ashtu ka qenë ai gjithmonë, nuk na njihte.Para ca kohësh isha vetëm me atë dhe po më bërtiste në lidhje me mamin. Mund të ketë qenë e vetmja kohë kur ka treguar psikopatinë e tij përpara nesh dhe ka qenë gjëja më e frikshme e jetës sime. Unë qaja dhe ai qeshte që qaja unë.
Arlindi: Ku kemi jetuar ne ka qenë terror, trembeshim, iknik, mbylleshim.
Melissa: Deri para një jave na thoshte: Shkoni tek babi se është vetëm për Bajram. Nuk e urrente dot. Ka qenë fenomenale.
Arlindi: Ne shkonim absolutisht çdo fundjavë, edhe kur nuk donim, qanim, nuk donim të shkonim na çonte mami. Sado të vështirë e kishim na fliste mirë.
Ajo çka lexohet në keto mure të marra me qira është përpjekja e pandalur e një nënë, një gruaje, një gjyqtare që tenton mes sakrificave dhe varfërsisë të edukojë fëmijët e saj.
Fildesi punoi për drejtësinë dhe u largua nga kjo botë nga padrejtësia që ka sjellë sistemi, të cilit ajo i kishte besuar sakrificat e saj.
Në emër të Fildesit dhe të gjitha grave që ua morën jetën në një vend ku liria blihet dhe drejtësia është për shitje nga një institucion në tjetrin, duhet që të paktën jeta e humbur e tyre të mos shkojë dëm.
Duhet të shkunden të gjithë, shoqëria, sistemi, të korruptuarit e të pamundurit për ti dhënë fund një realiteti që mund ti trokasë çdokujt në derë.
Për momentin vdekja e tmerrshme e së emës trokiti në fatin e Arlindit dhe Melisës, e ardhmja e të cilëve do të varet edhe nga ndihma qe shteti e shoqëria do tu japë për të vazhduar përpara, me forcën që u ka lënë e ëma dhe këto mure me qira që nuk mund te jenë më streha e tyre edhe për shkak të dhimbjes që u rikujtojnë.