Zv/ministri në detyrë , Bajram Gecaj, ka reaguar ndaj një shkrimi të Veton Surroit duke thënë se Surroi për një periudhë të gjatë e ka kritikuar dhe sulmuar Ibrahim Rugovën për t’i ngritur disa komandantë.
Ky është statusi i plotë i Gecajt:
NE I KEMI NJOHUR EDHE ATËHERË z. SURROI
E lexova me kujdes një shkrim të z. Veton Surroi ku, në mes tjerash, në mënyrë jo-korrekte (fjala më e butë e mundshme në këtë kontekst) pohon se “…Dr. Rugova kishte filluar ta quante veten president në vitin 1992, pasi kështu kishin filluar ta quanin badigardët, shoferët, sekretarët e pastaj edhe të gjithë të tjerët…”. Zoti Surroi (dhe të gjithë ne) e din mirë se Dr. Rugova nuk gëzonte përkrahjen vetëm të rrethit të tij teknik, por edhe të pjesës dërmuese të popullit të Kosovës, e që u provua në të gjitha zgjedhjet sa ai ishte gjallë, para dhe pas luftës.
Derisa edhe unë mund të pajtohem me shumë nga ato të cilat z. Surroi i thotë sot për disa individë dhe/apo komandantë tanimë të kriminalizuar, nuk mund të lë pa thënë edhe atë se z. Surroi kishte kontribuar në një periudhe mjaft të gjatë që disa nga këta individ t’i ngritë lartë, duke instrumentalizuar për këtë qëllim kritiken dhe sulmin deri në ekstrem ndaj Dr. Rugovës dhe LDK-së. Z. Rugova dhe shumica nga ne i kemi njohur ata dhe kemi mbajtur qëndrim të njëjtë atëherë dhe tash.