Bajrami i shqiptarëve: Ata që hanë bakllava dhe ata që s’kanë as bukë

Festa e Bajramit është ndër festat më të rëndësishme të besimtarëve myslimanë.

Kjo ditë përçon mesazhe dashurie ndaj familjarëve e të gjithë të njohurve, pasi që si traditë është shtëngimi i duarve i përcjellë me urimet më të mira. Por, Festa e Bajramit urohet edhe duke i shtirë dorën dikujt që s’ka kushte të mira ekonomike, me aq sa munden secili.

Kjo festë festohet njësoj si edhe më parë te shqiptarët, disa hanë bakllava e ëmbëlsira të ndryshme e disa tjerë nuk kanë as bukë për të ngrënë, shkruan Gazeta Metro

Shkrimtari i madh Nonda Bulka, ka qenë i brengosur rreth kësaj çështjeje si edhe shumë shkrimtarë tjerë shqiptarë, duke shprehur jo rrallëherë keqardhjen për këtë gjendje e duke e cilësuar si mjerim e katandisje të popullit.

Më poshtë ju sjellim një pjesë mes shkrimeve të shumëta të Nonda Bulkës rreth të metave të shqiptarëve, të cilën e ka shkruar në kohën kur shqiptarët ishin ndër popujt më të prapambetur, në vitin 1936:

BAJRAMI

“Jemi në Bajram. Ditë e shenjtë, kur festohet profeti më i madh i Lindjes. Bota muhamedane anembanë kremton plot gëzim dhe lumturi. Xhamitë janë plot me burra pa këpucë. Hoxhallarët i luten profetit në gjuhëra që s’i kupton publiku. Ashtu si priftërinjtë katolikë; ashtu si dikur ortodoksët e Shqipërisë. Sot ortodoksët e Shqipërisë i mësuan Krishtit dhe Perëndisë gjuhën shqipe.

Por le të kthehemi te dita e Bajramit. Ashtu si në Krishtëlindjet, që ka dy lloj të krishterë, ashtu dhe bajramlinjtë ndahen më dysh: ata që hanë bakllava dhe ata që nuk hanë as bukë. Dhe unë vizatova këta të fundit.

Një shtëpi e vjetër, e shkretuar, e errët, me mure të zez’ prej tymit. Një grua e re, tepër e re, me dy fëijë, e bardhë si bora; s’kish parë kurrë dritën e diellit se ferexhenë e mbante ende. Burri i saj ishte shërbëtor në një zyrë. Dy napolona në muaj. Me ato ushqeheshin gjashtë veta. Dhe fëmijët s’kishin këpucë për ditën e Bajramit. Prandaj rrinin të mërzitur. Pashë vobektësinë dhe dëshpërimin në botën muhamedane, ashtu siç e pashë në botën e krishterë.

Dy fe të ndryshme! Por jo dy fukarallëke. Fukarallaku është po ai, për muhamedanin, për të krishterin, për çifutin ose budistin. S’ka fukarallëku as fe, as kombësi.

Hoxhallarët dhe priftërinjtë i thonë popullit kur vuan: ‘Ki besim te zoti dhe do të shpëtosh’. Dhe i vobekti beson; por nga hallet nuk shpëton. Megjithatë beson; beson edhe kur i del shpirti nga uria.

Këtu qëndron dobësia banale e mendjes njerëzore. Këtu qëndron përulja, rajallëku i shpirtit të njeriut kundrejt frikës së përallave shekullore. Sa e sa njerëz në botë rrojnë të dehur prej opiumit qiellor”.

Nonda Bulka është një ndër shkrimtarët e parë të viteve `30 që me krijimet e tij solli kritikën e protestën e hapur kundër regjimit të Zogut, demaskimin e shoqërisë së prapambetur feudale, një qëndrim të prerë antiklerikal si dhe denoncimin e politikës imperialiste të kohës, motive këto që më pas u trajtuan pothuaj nga të gjithë autorët e rinj të viteve `30 e sidomos nga Migjeni. /gazetametro.net

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme