Bajrami: Nga ratifikimi i MSA-së, Kosova shënoi rritje ekonomike për 4.1 për qind

E shtune, 05 Nentor 2016 –  Sakte.net  /

Kosova ka shënuar rritje ekonomike njëvjetorin e ratifikimit të Projektligjit për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit (MSA) në mes BE-së dhe Kosovës.

MSA-ja është një marrëveshje kontraktuale me BE-në dhe si e tillë definon hapat ekonomik, politik dhe legjislativ të procesit të integrimit të Kosovës në Bashkimin Evropian si dhe forcon më tej demokracinë dhe subjektivitetin e shtetit të Kosovës.

E, që nga nënshkrimi i kësaj marrëveshje, sipas ministres së Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami Kosova ka arritur të ketë zhvillime pozitive.

“MSA ka si objektiv final krijimin e zonës së tregtisë së lirë ndërmjet Kosovës dhe vendeve të Bashkimit Evropian brenda periudhës 10 vjeçare. Siç e dini, marrëveshja ka filluar të implementohet që nga muaji prill i këtij viti, bazuar në Planin Kombëtar për Zbatimin e MSA-së, dhe gjatë kësaj kohe ka pasur zhvillime pozitive, sikurse, lehtësitë e krijuara për anëtarësim në organizata ndërkombëtare të disa agjencive shtetërore të Kosovës, çmime më të lira të lëndës së parë për prodhim, etj”, ka thënë Bajrami për Telegrafin.

Ministrja ka theksuar se qasja në këtë treg të madh dhe të zhvilluar do të sigurojë për bizneset kosovare dhe ekonominë e vendit tonë përfitime të shumanshme.

“Në kudër të këtyre përfitimeve përfshihen: mënjanimi i barrierave tregtare, krijimi i një mjedisi më të qëndrueshëm dhe transparent afarist, krijimi i një klime të përshtatshme të biznesit e cila favorizon rritjen e investimeve e huaja direkte dhe krijimin e vendeve të punës në vendin tonë. Për të qenë të suksesshëm në ndërveprimin me këtë treg, kompanitë kosovare duhet të përmirësojnë cilësinë e produkteve dhe shërbimeve të tyre dhe ne si qeveri po ndihmojmë më projekte që u ndihmojnë bizneseve të pajisen me certifikata ndërkombëtare të cilësisë”, u shpreh Bajrami.

Duke folur më tej për përfitimet e bizneseve kosovare në kuadër të MSA-së, Hykmete Bajrami shtoi se kemi edhe obligime të rëndësishme të cilat duhet t’i përmbushim duke u sjellë si një shtet përgjegjës dhe i vendosur për çuarjen përpara të reformave të gjithanshme strukturore – reforma të cilat do të na mundësojnë që ekonomia jonë të futet në binarët e zhvillimit kualitativ duke u bërë e denjë të ndërveprojë suksesshëm me tregjet e zhvilluara të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian.

“Pra institucionet tona duhet të ngrisin më tej kapacitetet, të përmirësojnë edhe më tutje shërbimet ndaj bizneseve; të vazhdohet me informimin e bizneseve për kërkesat teknike të tregut të BE-së dhe bizneset të mbështeten në krijimin e qasjes dhe promovimit në tregjet evropiane”, tha ministrja.

E pyetur se sa jemi konkurrent si Kosovë me bizneset e tjera në tregun Evropian, ministrja Bajrami theksoi se “ Kosova ka kapacitete mjaft të mira konkurruese në disa fusha, sikurse sektori i përpunimit të drurit, metaleve, Teknologjisë Informative, shërbimeve të konsulencës, etj”.

Ministrja tutje shtoi se tregu i BE-së është një treg me standarde të larta të cilësisë dhe në këtë aspekt, ndërmarrjet tona duhet të punojnë shumë që të arrijnë në nivel të njëjtë të konkurrencës me kompanitë evropiane, megjithatë në si qeveri do të vazhdojmë punën në mbështetjen e bizneseve kosovare që të ngrisin standardet e tyre.

“Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, ka vazhduar mbështetjen e shumë kompanive kosovare për t’u promovuar në tregjet e BE-së përmes panaireve nëpër shtetet kryesore evropiane. Këto pjesëmarrje po ndikojnë pozitivisht që ndërmarrjet tona të gjejnë partnerë dhe të rrisin prezencën e produkteve të tyre në këto tregje”, shtoi Bajrami.

Ministrja në fund ka shtuar se sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, rritja reale në vitin 2015 në krahasim me vitin 2014, ishte 4.1 për qind dhe parashihet që trendi i rritjes ekonomike të përmirësohet më tej gjatë periudhës vijuese.