Bamirësi britanik i burgosur në Shqipëri për pedofili pritet të shpallet i pafajshëm pas 11 vjetësh qëndrimi në qeli

Një britanik, punëtor bamirësie, i cili ka qëndruar prapa grilave për 11 vjet me radhë për abuzim me fëmijë në Shqipëri, do të lirohet pasi që akuzuesit e tij kanë pranuar të kenë gënjyer në gjykatë.

David Brown, tani 66 vjeç, nga Edinburgu, Skoci, ishte dënuar me 20 vjet burgim pasi dy djem, që ishin banues në një shtëpi që ai e drejtonte për fëmijët problematikë, kishin dëshmuar kundër tij.

Por tani ‘viktimat’, njëri 18 e tjetri 22 vjeç, kanë deklaruar publikisht se kanë gënjyer sepse policia dhe psikologët u kishin bërë presion atyre që të jepnin deklarata të rreme.

Të dy akuzuesit thonë se janë të gatshëm të pranojnë gënjeshtrat e tyre para gjykatës – hap ky që do të çojë në lirimin e Brownit, transmeton Koha.net.

Në total 10 djem kishin dhënë dëshmi kundër të bashkakuzuarve të Brownit, Dino Christodoulou, 52-vjeç, tashmë i dënuar për pedofili, dhe Robin Arnold, 63-vjeç.

Brown, i cili vazhdimisht e ka spikatur pafajësinë e tij, beson se tmerri në kryeqytetin shqiptar, Tiranë, po shkon kah fundit.

Image
Foto: Daily Record

Duke folur nga qelia e tij për “Daily Record”, ai tha se do të qëndrojë në Shqipëri që t’i mbledh copëzat e punës së tij porsa të lirohet.

I pari nga dy dëshmitarët që dha dëshmi kundër Brownit, Andon Qoshlli, tani 22 vjeç, ka konfirmuar se dëshiron ta ndryshojë dëshminë e dhënë në gjykatë si 13 vjeç.

“Psikologja dhe polici hetues i rastit më detyruan të thosha se Davidi kishte abuzuar me mua. Po ai s’ka abuzuar me mua dhe më vjen keq që ai është në burg. Dua ta takoja dhe ta përqafoj. David na hoqi nga rruga dhe na dërgoi në shkollë”, ka thënë ai, transmeton Koha.net.

Nëna e Andonit, Luisa, 53 vjeçe, tha se nuk ka qenë me të birin kur e ka dhënë dëshminë e tij.

“David nuk dihet të jetë në burg. Ai ia k shpëtuar jetën djalit tim dhe më ka thënë shpeshherë se Dino ka abuzuar me të. Ne ishim një familje e varfër dhe nuk kisha mjete financiare që t’i ndihmoja fëmijët e mi të rriteshin”, ka thënë ajo.

Tani 18 vjeç, dëshmitari i dytë Denis Aliu thotë se ka qenë një 6 vjeçar i tmerruar kur ishte detyruar nga policia që të thoshte se ishte abuzuar nga Brown.

Denisi, i cili ishte larguar nga rrugët e Yzberishtit të Tiranës dhe kishte hyrë në shtëpinë e Brownit, thotë: “David nuk do duhej të ishte në burg. Isha i ri atë kohë dhe i thash gjykatës çfarë më kishte thënë psikologja të thosha. Ajo më jepte dhurata si topa futbolli, ëmbëlsira, dreka e para, gjithçka për t’më bërë të lumtur në mënyrë që të thosha në gjykatë çfarë ata dëshironin. Davidin e thërrisja baba. E di që kam bërë një gabim të madh dhe dëshiroj të shkoj në gjykatë e ta përmirësoj atë gabim”, ka thënë Aliu, transmeton Koha.net.

Image
Andoni dhe Denisi. Foto: Daily Record

Denisi thotë se është udhëzuar nga psikologja shtetërore para se ta jepte dëshminë.

Ai shton: “Pak para se të dilja të jepja dëshminë time, psikologja më tha, ‘Shko, thuaj çfarë të kam thënë unë’”. Denisi ka folur edhe për fajin që ndjen për 11 vjetët e tmerrit që David e ka përjetuar në burg.

“Kam një faj të madh në brendësi dhe dëshiroj të bëjë gjënë e duhur dhe ta ndihmoj atë të lirohet”, ka thënë më tej Denisi.

Avokatja e Brownit, Gjystina Golloshi, tha: “Dëshmia e dy djemve ka qenë shumë dobët dhe është dhënë pasi janë frikësuar dhe manipuluar nga policia dhe prokurorët”.

“Që të dy tani i kanë tërhequr akuzat kundër David Brown dhe ndihen shumë keq për kohën që ai e ka kaluar në burg për diçka që s’e ka bërë. Pa akuzat e tyre, faktikisht nuk ka më rast kundër Davidit dhe autoritetet nuk do të kenë zgjidhje tjetër përveç se ta lirojnë pasi Gjykata e Lartë t’i dëgjojë të gjitha dëshmitë”, ka thënë ajo.

Golloshi thotë se prokurorët kanë dështuar të marrin pjesë në disa prej seancave dëgjimore që do të shtronin rrugën për lirimin e tij brenda vitit, përfshirë edhe një seancë të së enjtes së kaluar.

Brown shkoi në Shqipëri në vitin 2000 pasi ishte përfshirë në përpjekjet skoceze për t’u dalë në ndihmë refugjatëve që kalonin kufirin për t’i ikur luftës në Kosovë.

Ai u ballafaqua me fëmijë romë të neglizhuar që kërkonin lëmoshë në rrugë dhe i ndihmoi ata me ushqim e para.

Vitin pasues, me mbështetje nga kishat në Shqipëri dhe Britani, ai kishte hapur një jetimore të cilën – pasi kishte deklaruar të kishte pranuar udhëzime nga Zoti – e kishte emërtuar Fëmijët e Tij. Misionarët e afërt me kishat krishtere deri në Oklahoma shkuan në Tiranë për t’u përkujdesur për fëmijët dhe dhanë mësime Bible.

Në gjykimin e tij, disa fëmijë dëshmuan në mbrojtje të tij.

Brown punoi me fëmijë për 35 vjet në Skoci dhe ka qenë kryesues i Panelit të Fëmijëve për shumë vjet.

Image
Foto: AFP

Ai pranon të ketë qenë naiv pasi nuk ka verifikuar të kaluarën e të gjithë vullnetarëve që kishin qasje të pambikëqyrur ndaj fëmijëve.

Pasi dolën në pah abuzimet në këtë shtëpi më 2006, policia shqiptare dhe shërbimet sociale bastisën jetimoren dhe arrestuan Brownin. Dhjetë djem, të moshave në mes 4 dhe 13 vjeç, i thanë policisë se janë abuzuar seksualisht nga një apo më shumë nga tre britanikët, të cilët u akuzuan për “marrëdhënie homoseksuale me të mitur”, transmeton Koha.net.

Në disa raste, fëmijët deklaruan të jenë lidhur në një ballkon, t’u jenë mbyllur gojët dhe të jenë përdhunuar.

Christodoulou, infermier nga Blackburn, Lancashire, dhe Arnold, shitës nga Cromer, Norfolk, ishin ekstraduar nga Britania dhe u gjykuan dy vjet pas dënimit të Brownit.

Christodoulou, i cili ka qenë i dënuar për abuzim me fëmijë në Britani, është dënuar me 20 vjet ndërsa Arnoldi me 15 vjet e gjysmë.

Brown, në burg që nga viti 2006, më parë e kishte apeluar dënimin e tij në Gjykatën e Lartë, por kërkesa e tij ishte refuzuar.

Ai është mbajtur në burgun e sigurisë së lartë në Tiranë, “Mine Peza”, ku është i vetmi i huaj nga 300 të burgosur.

Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm të Shqipërisë nuk është përgjigjur në kërkesën për të komentuar rastin.

Albert Malaj, drejtor i burgut “Mine Peza”, tha: “David Brown është njeri i përkushtuar. Çdo ditë pranon nga më shumë se 10 letra nga përkrahës nga vende të ndryshme. Kjo është diçka e pazakonte për një të burgosur në burgjet e Shqipërisë”.

Edhe përkundër këtyre zbulimeve, Brown me gjasë do të mbetet në burg edhe për një vit para se të lirohet.

© KOHA

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme