Një rrjet i trafikut të drogës në Athinë është shkatërruar nga policia greke pasditen e sotme. Mediat greke raportojnë se janë arrestuar 11 persona, anëtarë të organizatës kriminale, nga të cilët 10 shqiptarë dhe një shtetas grek.
Banda e drogës kishte funksione dhe detyra të qarta. Policia greke thotë se drejtuesi 32-vjeçar kishte vendosur vëllanë e tij 24-vjeçar përgjegjës në Greqi për të organizuar punën, i cili kishte për detyrë furnizimin me kokainë dhe kanabis, ndërsa anëtarët e tjerë të organizatës kishin për qëllim trafikun e drogës.
Autoritetet nuk kanë dhënë asnjë informacion sa i përket vendndodhjes së shqiptarit që është drejtuesi i këtij rrjeti kriminal, nëse strehohet në Shqipëri apo në Greqi. Anëtarët e bandës komunikonin me kode ndërmjet tyre, duke përdorur fraza të caktuara për të mos u zbuluar. Gjatë kontrolleve në banesat e tyre, policia sekuestroi 11 gram kokainë, 56 gr kanabis, peshore elektrike, 21 celularë, 2680 Euro.