Banka Botërore njoftoi të enjten se Bordi i Drejtorëve ekzekutivë të saj ka miratuar Programin e Dytë të Politikave për Qëndrueshmëri dhe Zhvillim të Gjelbër, me një financim prej 120 milionë dollarësh. Programi, i cili përfaqëson financimin e dytë të të serie prej dy fazazh, ka për qëllim forcimin e qëndrueshmërisë fiskale dhe nxitjen e zhvillimit të qëndrueshëm në Shqipëri.
Sipas njoftimit të Bankës Botërore, do të jenë tre fusha kryesore reformash që do të mbështeten. Bëhet fjalë për “forcimin e hapësirave fiskale, përfshirë përmirësimin e administrimit të taksave dhe raportimit të ndërmarrjeve shtetërore mbi rreziqet e mundshme sociale dhe mjedisore”, për “zgjerimin e tregut të energjisë, duke nxitur burimet e rinovueshme dhe rritjen e efiçencës së energjisë” si dhe për “mbrojtjen e mjedisit dhe uljen e emetimeve të karbonit”.
Banka Botërore bën të ditur se ky program “është në përputhje me Kuadrin e Partneritetit të Vendit për periudhën 2023-2027, çka përforcon angazhimin e Bankës Botërore për zhvillimin e qëndrueshëm të Shqipërisë dhe përmirësimin e cilësisë së jetës për qytetarët e saj.
“Paketa e reformave që mbështesim përmes këtij programi synon të forcojë perspektivat e zhvillimit të Shqipërisë,” tha Richard Record, Menaxheri në detyrë i Bankës Botërore për Shqipërinë duke shtuar se “ky financim do ta ndihmojë vendin të adresojë sfidat kryesore në sektorin e energjisë si dhe të rrisë aftësinë e qeverisë për të menaxhuar rreziqet fiskale dhe për të mbështetur më mirë shtresat në nevojë të popullsisë.”
Programi, shpjegon më tej njoftimi i Bankës Botërore “reflekton aspiratat e Shqipërisë për anëtarësim në Bashkimin Evropian, Programin e Reformave Ekonomike 2024-2026 dhe angazhimet ndërkombëtare të vendit për klimën”./ VOA