“Besoni ose jo, këtë ujë, në këtë gjendje, me lloj lloj papastërtish dhe gjallesash brenda mbi 2000 banorë të lagjes së UÇK-së e konsumojnë për vite të tëra”.
Pavarësisht se Komuna kishte premtuar rregullimin e ujësjellësit për këtë lagje, problemi nuk është zgjidhur. Banorët thonë se ne vend të rregullimit të rrugës me pllaka begatoni, Komuna duhej të zgjidhte çështjen e ujit të pijshëm.
“Mjetet thonë i kanë nda po ujin s’e kanë bë akoma, thanë që do e rregullojnë para rrugës, por rrugën e shtruan e ujin jo. Kemi nevojë për ujë, ja çfarë uji konsumojmë në lagje këtu, përgjithësisht këto shtëpitë krejt e kanë ujin të njëjtë sikur ky.
Shumica e pinë këtë ujë, nga halli se s’kanë tjetër. Tash do fillojnë reshjet, hyjnë mbeturinat nëpër puseta bëhet katastrofë, i pastrojmë por kot”.
“Po konsumojnë fëmijët e neve e të gjithë, por s’kemi çka të bëjmë, patjetër uji është i domosdoshëm, e kemi patjetër ta përdorim se s’ka tjetër. Dimrit ngrin uji sepse janë tubat që i kemi vendosur përkohësisht se u bë shumë kohë dhe e marrim prej një burim kot fare”.
E para e komunës së Tetovës Teuta Arifi, ka kërkuar nga banorët që të durojnë edhe sivjet, pasi sipas saj projekti për ujësjellësin e këtij vendbanimi është miratuar për vitin e ardhshëm.
“Dua të them që projekti është kryer pra pengesat procedurale janë përfunduar, buxhet kemi dedikuar dhe ashtu siç kemi zgjedhur projektin e ujësjellësit të madh edhe kjo do jetë një çështje që do i përkas të kaluarës. Me përfundimin e procedurave fillim viti i ardhshëm mund të na gjej me fillim të punëve aty”, tha Teuta Arifi, Kryetare e Tetovës.
Kujtojmë se nga ky lloj sistemi i ujit për pije që futet në çdo amvisëri, tre vite më parë nga helmimi në spitalin e Tetovës përfunduan më se 100 persona./Alsat