Gazetare: Melihate Rustemi
Një ditë pas situatës së tensionuar në Sllupçan të komunës së Likovës, kur një grup banorësh bllokuan rrugët për të penguar ekipet e EVN-së për nxjerrjen e orëmatësve jashtë shtëpive të tyre, ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi ka paralajmëruar se është zgjidhur problemi. Sipas Bekteshit të gjithë qytetarët duhet të paguajnë faturat e energjisë elektrike.
“Nëse është nevoja të ndihmojmë si ministri sigurisht se do të kyçemi, jo vetëm për rastin konkret por çdo kund në Maqedoni. Ne jemi këtu tu dalim në ndihmë nëse kërkojnë ndihmën tonë. Mirëpo, kur bëhet fjalë për pagesën e energjisë, çdo banor që furnizohet me energji elektrike e ka për detyrë ta kryej këtë sikurse EVN që ka për detyrë të përmirësojë rrjetin për të gjitha vendbanimet dhe të kenë kushte të barabarta”, deklaroi Kreshnik Bekteshi, ministër i Ekonomisë.
Përfaqësuesi i fshatit thotë se askush nuk është kundër ligjit, por para se të merren vendime duhen bisedime.
“I bëj apel EVN-së që mos ta sheh si qytetarë të rendit të dytë, nuk jemi kundër ligjit, jemi për bisedime. Protesta e mbrëmshme ka qenë thjesht një revoltë, nuk kemi bë asnjë dëm, e kemi shpreh pakënaqësinë tonë me atë qysh po na trajton EVN-ja”, deklaroi Zekirija Shahini, përfaqësues I fshatit.
Por ndryshe thonë nga EVN. Sipas kësaj kompanie nga përpjekja e disa banorëve për të rikthyer vet furnizimin me energji elektrike është shkaktuar një defekt i madh që ka lënë pa rrymë edhe fshatra të tjerë. Sipas EVN-së fshatrat Orizarë, Vaksincë dhe Llojan sot po përballen me avari për shkak të veprimit të banorëve të fshatit Sllupçan.
“Në orët e vona të ditës së djeshme, banorët nga Sllupçani në mënyrë të dhunshme dhe të paligjshme hapën një objekt të madh energjetik të Elektrodistribucionit në përpjekje për të rikthyer vetë furnizimin me energji elektrike në fshat. Pas një tentative të tillë për lidhje të paligjshme arbitrare, është shkaktuar një defekt i madh, i cili ka lënë pa energji elektrike edhe fshatrat fqinje. Manipulime të tilla nga joprofesionistë janë jashtëzakonisht të pasigurta dhe mund të kenë një fund shumë tragjik me pasoja fatale”, thuhet në njoftimin e EVN-së.
Sot në Sllupçan situata ishte e qetë, banorët po kryenin aktivitetet e përditshme. Një pjesë e tyre ankoheshin për dëmet nga mungesa e rrymës.
“Çka ka në frigorifer të gjitha u prishën, ajo ma keq se për ujë e mbush një kovë dhe kalon, ama ajo që po prishen shumë keq”.
“Sa ju kanë ardhur faturat? 12 mijë, 10 mijë. Çka harxhoni për ato 12 mijë denarë? Asgjë, një frigorifer, frizë dhe hidroforin, kurgjë tjetër, ngrohemi me dru”.
“Të gjitha gjërat që i kemi brenda do të na prishen. Nëse nuk e lëshojnë brenda ditës katastrofë janë punët. Nuk paguajnë po nuk kanë njerëzit me çka të paguajnë, gjysma e fshatit janë të papunë këtu”.
Sipas kompanisë EVN, vjedhja e energjisë elektrike në fshatin Sllupçan të Likovës është 80%, dhe arkëtimi është vetëm 20%. /Alsat.mk