Takimi i dytë i negociatorëve të qeverisë dhe opozitës nuk ka prodhuar akoma uljen në tryezën e dialogut të kryeministrit shqiptar Edi Rama dhe kreut të opozitës Lulzim Basha.
Negociatorët Balla dhe Bylykbashi u takuan të hënën paradite, por nuk konfirmohet ndonjë avancim domethënës në bisedime. Pengesë është kushti i opozitës për qeverinë teknike, të cilin Lulzim Basha e rikonfirmoi, ndërkohë që negociatorët ishin ende në takim.
“Tani do thotë dikush negociatë është, çfarë do lëshosh dhe çfarë do lëshojë. Po i them që këto nuk janë kushtet e mia, këto janë kushtet e popullit dhe harrojini që do të lëshojmë ndonjë gjë nga këto kushte. Asgjë. Vetëm qeveri teknike që do të zbatojë ligjin e dekriminlaizimit, do të luftojë drogën dhe do të krijojë kushte për zgjedhje të lira e të ndershme. Asnjë tërheqje”, deklaroi Basha.
“Ndodhemi në një situatë ku Edi Rama ka ofertën e Ilir Metës për një koalicion edhe për zgjedhjet e ardhshme. Pse nuk e dorëzon karriken për të patur zgjedhje të lira e të nderhsme? Ka frikë se edhe po ta ketë Ilir Metën në varg, po i iku karrikja, po i ikën veglat me të cilat ka ndërmend të shkatërrojë zgjedhjet e ardhshme, ai e di se gjykimi popoullor do të jetë i pamëshirshëm me votë të lirë e të ndershme”, tha Basha.
Kryetari i PD, që nuk hoqi dorë nga akuzat edhe për përfaqësuesit e huaj, u duk i vendosur për arritjen e qëllimit final të protestës.
“Do të përpiqen të kërcënojnë kë të mundin e të blejnë kë të munden, shqiptarë e të huaj, sado zhage të nxirrni e kujtdo t’ia jepni, zgjedhje me Edi Ramën kryeministër nuk ka për të patur”, shtoi Basha, shkruan TCH.