Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja ka zhvilluar një takim me ambasadorin e Britanisë së Madhe të vendit tonë, Alastair King-Smith, për të diskutuar mbi bashkëpunimin e dy vendeve përsa i përket reformave dhe trajnimit të gjyqtarëve e prokurorëve të Shqipërisë.
Pjesë e takimit ishin dhe një delegacion britanik i gjyqësorit, teksa të gjithë së bashku kanë diskutuar për shkëmbimin e përvojave, mbështetjen për reformën në drejtësi, forcimin e kapaciteteve trajnuese të Shkollës së Magjistraturës, digjitalizimin e sistemit të drejtësisë, si dhe trajnimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve.
“Bashkëpunimi mes Shqipërisë dhe Mbretërisë së Bashkuar po njeh zhvillime të reja pozitive!
Takim produktiv me Ambasadorin britanik, Alastair King-Smith dhe delegacionin britanik të gjyqësorit, i kryesuar nga gjyqtari me eksperiencë, LJ Dingermans, ku diskutuam shkëmbimin e përvojave, mbështetjen për reformën në drejtësi, forcimin e kapaciteteve trajnuese të Shkollës së Magjistraturës, digjitalizimin e sistemit të drejtësisë, si dhe trajnimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve!”, shkruan Ulsi Manja.
Kujtojmë se më datë 22 maj, Ministri i Jashtëm britanik, David Cameron erdhi në Shqipëri, për të diskutuar mbi bashkëpunimin e dy vendeve përsa i përket kontrollit të emigracionit të paligjshëm, si dhe për njoftimin e një programi të ri që lidhet me gjyqësorin, për të trajtuar korrupsionin dhe krimin e organizuar.
Por Lord Cameron u detyrua të largohej përpara orarit të caktuar, pasi në vendin e tij do zhvillohej mbledhje e kabinetit e papritur në të cilën duhej të merrte pjesë patjetër, për shkak të njoftimit se Britani do zhvillohen zgjedhje të parakohshme.