Mira Markoviq, bashkëshorte e diktatorit të ndjerë të ish –Jugosllavisë, Sllobodan Millosheviq, nga Moska, ku gjendet në azil politik, ka folur për ngjarjet e zhvilluara në ish –Jugosllavi, aktore e të cilave ishte edhe vetë.
Ajo ka dhënë edhe vështrimin e vet për Kosovën, ndërsa nuk ka përmendur sulmet dhe ofensivat e Beogradit kundër të gjithë përbërëse të ish- RSFJ-së e edhe kundër Kosovës.
Ajo, për gazetën e Beogradit “Veçernje Novosti”, ka thënë se sikur serbët e shqiptarët, pa ata që Markoviq i quan arbitra neokolonialë, të vendosnin vetë për jetën e vet, ajo ende do të ishte e përbashkët. Kështu do të ishte edhe me jetën e jugosllavëve të dikurshëm. Sipas saj, edhe formimi i shtetit të Kosovës dhe suspendim i Jugosllavisë janë rezultat i politikës neokoloniale.
“Ndonjëherë më duket se bashkë me mërgimin tim, iku edhe Jugosllavia”, tha ajo ndërsa në pyetjen se a mundet Serbia ta mbrojë dhe ta ruajë territorin e vet, siç e trajton Kosovën gazeta e Beogradi, ajo përgjigjet:
“Pas puçit të 5 tetorit 2000, shteti federal me në krye Vojislav Koshtunica dhe Serbia me në krye Zoran Gjingjiqin, ia dorëzoi Kosovën pakicës shqiptare që ajo në territorin serb ta krijojë shtetin e vet. Ky ka qenë koncept i asaj pjese të botës që veten e shpalli bashkësi ndërkombëtare. Kjo pjesë e botës dhe disa pjesë të tjera të saj në vitin 2008 njohën shtetin kosovar. Këtë shtet, pra, do ta mbrojnë ata që e kanë krijuar. Fati i këtij shteti varet nga raporti i forcave në botë”, citona gazeta të ketë thënë Markoviq, transmeton koha.net
Sipas saj, shteti i Kosovës është krijuar brenda natës dhe jashtë saj ndërsa duke folur për sukseset e bashkëshortit të saj, Markoviq përmendi Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.