Bashkimi gjysmak shpirtëror!

“Një gjuhë, një Abetare”… Kohë më parë u njoftua se pas një pune të përbashkët të Komisionit për organizimin e konkursit për Abetaren e re, Ministria e Arsimit e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë, kanë hapur thirrjen për aplikim në konkursin për një Abetare të përbashkët, e cila do të shoqërohet edhe me fletoren e punës. “Ftojmë shtëpitë botuese nga të dy shtetet që të aplikojnë në këtë konkurs, rezultatet e të cilit do të bëhen publike në qershor të këtij viti”, kanë thënë zyrtaret e dikastereve të Arsimit të të dyja shteteve.

Pra, hapet konkurs për Abetaren e përbashkët Kosovë – Shqipëri. Është një lajm i bukur, mbase shumë i bukur, por që i ngjan thikës me dy tehe mjaftë të mprehur. Po ku mbeten në këtë angazhim shqiptarët nga Maqedonia e Veriut, ata të Malit të zi e të Luginës së Preshevës? A do të thotë se këta të fundit do të përjashtohen nga kjo Abetare dhe ata do të vazhdojnë të gjinden kush si të mundet?

Politikat e këtilla publike thjeshtë janë demoralizuese, pavarësisht se dikush do të thotë se me këtë abetare do të mësojnë të gjithë shqiptarët, ndonëse akoma asgjë nuk është e qartë dhe gjithçka është përfshirë brenda një mjegullnaje. Lënia anash e një pjesë të madhe të shqiptarëve me shumë të panjohura dëshmon qartë se shqiptarët janë larg pasjes së një strategjie për një bashkim shpirtëror konkret, që përfshin gjuhën, letërsinë dhe historinë, të cilat janë një dhe të pandashme, pavarësisht politikave të mbrapshta ballkanike, të cilat kanë arritur në atë stad sa edhe gjuha trajtohet si diçka armiqësore, ngjashëm siç trajtohej shqipja nga komunistët jugosllav, si nacionaliste, irredentiste e çka jo tjetër.

Gjuha është shtylla kryesore e identitetit tonë dhe që na veçon nga të tjetër dhe si e tillë nuk rrezikon askënd, por ja që ne vete, çuditërisht, akoma frikësohemi prej vetvetes, ose – ose për hir të disa raporteve ballkanike artificiale, pajtohemi ta flijojmë vetveten. Çdo kompromis në këtë drejtim është i papranueshëm dhe përjashtimi i shqiptarëve që janë jashtë Shqipërisë e Kosovës, është një akt antikombëtar.

 

Republika e Shqipërisë është e obliguar edhe me Kushtetutë që të kujdeset për shqiptarët jashtë kufijve të saj, prandaj pikërisht ajo duhet ta respektojë Kushtetutën dhe duhet të këmbëngulë në projektin “Një gjuhë, një Abetare”, si një e drejtë shumë e natyrshme dhe thelbësore.

Pikërisht zyrtarët e arsimit në Shqipëri dhe Kosovë duhet të japin sqarime plotësuese se cila në fakt është e vërteta. Sepse të njëjtën gjuhë e flasin dhe të njëjtat shkronja shkruajnë dhe lexojnë edhe shqiptarët e shpërndarë gjithandej hapësirave ballkanike. Bashkimi gjysmak shpirtëror, pra vetëm i një pjesë, nga pjesa tjetër e shqiptarëve nuk mund të trajtohet ndryshe, pos si ka tradhtie… Përkufizim tjetër nuk ka…

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme