Baza e ushtrisë së Kosovës do të jetë në Istog

Sa i përket infrastrukturës, ushtria e Kosovës do ta ketë në dispozicion një kompleks të ndërtesave që shtrihen në një sipërfaqe prej mbi 16 hektarësh në Istog. Komuna e Istogut ka vendosur që Forcës së Sigurisë së Kosovës t’ia japë në shfrytëzim afatgjatë për 99 vjet 16 hektarë tokë komunale dhe një kompleks ndërtesash, të cilat komunës ia kishte lënë KFOR-i spanjoll pas largimit nga Kosova.

Në majin e vitit 2010, hapësira dhe ndërtesat i janë dhënë në shfrytëzim FSK-së.

Lulzim Blakaj, nënkryetar i Istogut, tha se komuna ka biseduar me ministrin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, Haki Demolli, për një marrëveshje për t’ia dhënë FSK-së në shfrytëzim të një hapësire prej rreth 16 hektarësh tokë komunale, në të cilën ndodhen një mori ndërtesash, të cilat KFOR-i spanjoll i kishte ndërtuar për nevojat e veta. Blakaj ka sqaruar se në vitin 2000 KFOR-i spanjoll kishte kërkuar nga komuna një hapësirë për t’u vendosur, pasi që ajo pjesë ishte vënë nën përgjegjësinë e KFOR-it spanjoll, transmeton zeri.info.

“Në vitin 2000, derisa me Kosovën ka qeverisur Qeveria e përkohshme e Kosovës, ndërsa me Istogun Januz Januzaj, KFOR-it spanjoll i ishte dhënë një hapësirë në Dubravë, pranë burgut të Dubravës, në hyrje të Istogut, një sipërfaqe prej rreth 16 hektarësh tokë. KFOR-i spanjoll kishte ndërtuar një varg objektesh për nevojat e veta, si në logjistikë dhe për nevoja të tjera. Por pas largimit, KFOR-i spanjoll ia ka dorëzuar komunës hapësirën që ka pasur në shfrytëzim me gjithë objektet që ka ndërtuar dhe prej atëherë ato janë në pronësi të komunës së Istogut”, ka sqaruar nënkryetari Blakaj. Sipas tij, kjo hapësirë ishte parë si e përshtatshme për ndonjë kampus universitar.

“Por, pasi që e gjithë infrastruktura dhe ndërtesat janë bërë në atë formë që t’u përshtatën nevojave ushtarake, është parë e arssyeshme që kjo hapësirë me gjithë objektet t’i jepen në shfrytëzim Forcës së Sigurisë së Kosovës. Kur e kemi dhënë në shfrytëzim këtë pjesë për nevojat e FSK-së nuk kemi përcaktuar ndonjë afat të shfrytëzimit, por tani kemi vendosur që me FSK-në të bisedojmë për ta përcaktuar një afat kohor afatgjatë të shfrytëzimit”, pohon Blakaj.

Ai ka shtuar se gjatë bisedave që kanë zhvilluar autoritetet komunale të Istogut me ministrin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, Haki Demollin, ka mbetur që FSK-ja ta bëjë një kërkesë në komunën e Istogut për ta marrë në shfrytëzim afatgjatë hapërsirën prej 16 hektarësh tokë komunale dhe objektet që janë të ndërtuar në atë hapësirë, pasi ato janë shumë të përshtatshme dhe u përgjigjen nevojave të FSK-së. Pasi që brenda një kohe të shkurtër FSK-ja do të transformohet në ushtri të Kosovës, respektivisht në Forca të Armatosura të Kosovës, edhe hapësira është e përshtatshme për nevoja ushtarake, sepse infrastruktura dhe të gjitha objektet që janë ndërtuar nga ana e KFOR-it spanjoll, janë të dedikuara për ushtri”, ka siguruar nënkryetari i Istogut, Lulzim Blakaj.

Ai ka precizuar se hapësira prej 16 hektarësh tokë komunale me të gjitha objektet që ndodhen brenda kësaj hapësire do t’i jepen Forcës së Sigurisë së Kosovës në shfrytëzim afatgjatë për 99 vjet.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme