Bashkimi Demokratik për Integrim shpreh shqetësimin e thellë për zhvillimet e fundit në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Maqedonisë së Veriut, ku në vend të mbrojtjes së rendit kushtetues dhe të drejtave të qytetarëve, sipas tyre, po dëshmojmë një devijim serioz nga misioni i saj themelor.
“Derisa “Vlen” flen dhe hesht përballë këtyre zhvillimeve, kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Darko Kostadinovski, po thellon bashkëpunimin me Serbinë në një moment tejet të ndjeshëm politik dhe institucional.
Madje, sipas palës serbe, kjo vizitë ka edhe simbolikë të veçantë, pasi Kostadinovski është kryetari i parë i një Gjykate Kushtetuese që viziton institucionin homolog në Serbi që nga zgjedhja e Petrovit në këtë detyrë. Në takim janë diskutuar kompetencat e gjykatave, mënyrat e vendimmarrjes dhe sfidat aktuale, duke u theksuar nevoja për bashkëpunim më intensiv në rajon, edhe në kontekst të proceseve integruese evropiane.
Megjithatë, për BDI-në është e papranueshme që në kohën kur Gjykata Kushtetuese në vend po merr vendime të njëanshme dhe jokushtetuese që prekin drejtpërdrejt të drejtat e komuniteteve, drejtuesit e saj të fokusohen në ndërtimin e partneriteteve që ngjallin shqetësim dhe dilema serioze në opinionin publik. Në vend që të jetë garant i Kushtetutës, kjo gjykatë po shndërrohet në levë të pushtetit, duke kontribuar në reduktimin e standardeve demokratike dhe të barazisë ndëretnike.
I bëjmë thirrje të gjitha institucioneve relevante, partnerëve ndërkombëtarë dhe opinionit publik që të ndjekin me vëmendje këto zhvillime dhe të reagojnë ndaj çdo përpjekjeje për të minuar rendin kushtetues dhe të drejtat e fituara. Republika e Maqedonisë së Veriut meriton institucione që punojnë në frymën e vlerave evropiane, jo devijime që e largojnë vendin nga ky orientim strategjik”, tnuhet në reagimin e BDI-së.



