Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) përmes një komunikate ka theksuar se Koalicioni VLEN me vetëm 9 deputetë pretendon të përfaqësoj 29 për qind të shqiptarëve në institucione, duke e vlerësuar këtë si eksperiment që nuk funksionon.
“Përfaqësues të koalicionit LEN, i cili me vetëm 9 deputetë ( 1.3% të deputetëve) pretendon të përfaqësojë mbi 29% shqiptarë në institucione, vazhdojnë të relativizojnë bashkëpunimin e tyre të mëhershëm me partitë maqedonase, duke e quajtur atë “eksperiment që nuk funksionoi”. Por problemi nuk qëndron tek një eksperiment i dështuar politik. Problemi është se kjo qasje e eksperimentimit me shqiptarët po vazhdon – me pasoja reale dhe të rrezikshme”,thuhet në njoftimin e BDI-së nga ku shtojnë se historikisht, regjimet më represive në rajon, veçanërisht ai i Millosheviqit, kanë përdorur shqiptarët e Maqedonisë së Veriut si inkubator për të testuar politika ndaj “çështjes shqiptare”.
“Dhe ajo që dikur vinte nga jashtë, sot po zbatohet nga brenda – me shqiptarë që heshtin ose bashkëpunojnë në kurriz të të drejtave kolektive të popullit të vet.
Sot jemi dëshmitarë të një vale të re eksperimentimesh:
• A është eksperiment përpjekja për të normalizuar një qeveri pa shumicë shqiptare, pa mandat dhe pa përfaqësim të drejtë?
• A është eksperiment vendosja e një eksponenti pro-rus si Stoilkovic në krye të Marrëveshjes së Ohrit?
• A ishte eksperiment manipulimi i rezultateve të regjistrimit të popullsisë, përjashtimi i diasporës dhe ulja e përqindjes së shqiptarëve nga 29.3% në 24.5%?
• A është eksperiment sfidimi i kushtetutshmërisë së Ligjit për Gjuhët në Gjykatën Kushtetuese, për të parë sa do të heshtin shqiptarët?
• A është eksperiment heqja e mekanizmit të balanserit dhe lënia e institucioneve në mëshirën e ministrave dhe drejtorëve me qëndrime antishqiptare?
• A është eksperiment që inspektorët për gjuhën shqipe nuk marrin rrogë për muaj të tërë, me qëllim që të dorëhiqen dhe të zhbëhet mekanizmi i zbatimit të ligjit?”, thonë nga BDI.
Sipas partisë së Ahmetit e gjithë kjo nuk është as gabim, as rastësi. Është një model: të testosh kufirin e pranueshmërisë së shqiptarëve.
“E vërteta është se ndërkohë që po përpiqeni të eksperimentoni me shqiptarët, vetë jeni bërë eksperiment i një boshti hibrid politiko-oligarkik – një koalicion interesi dhe agjendash të errëta që po ju përdor për të zhbërë sistemin e ndërtuar mbi barazi dhe bashkëjetesë. Ky eksperiment do të dështojë. Ashtu siç kanë dështuar të gjithë të mëparshmit. Por kësaj radhe, do të dështojë bashkë me ju”, thuhet në njoftimin e BDI-së.