BDI-ja akuzoi kryeministrin Mickoski dhe VLEN-in: Po zhbëjnë Marrëveshjen e Ohrit

Gazetar: Suad Bajrami

Elementi i çështjeve etnike ishte pjesë e pyetjeve të deputetëve i cili u artikulua përmes deputetit të Frontit Evropian Blerim Bexheti, pavarësisht se liderët e partive të koalicionit opozitar në krye me Ali Ahmetin munguan në seancën e sotme. Bexheti i cili e quajti qeverinë jolegjitime për shqiptarët, parashtroi pyetje për kryeministrin për afatin e miratimit të ndryshimeve kushtetuese, orientimin e shtetit me BE-në apo Rusinë, e deri te ndikimi i kryeministrit në Gjykatën Kushtetuese.

“Ju kryeministër, që morët mandat për formimin e qeverisë, në mënyrë të papërgjegjshme, bashkë me vasalët tuaj, argatët apo hyzmeqarët e shkeljes së legjitimitetit po zhbëni elementet kryesore të Marrëveshjes së Ohrit, parimin e përfaqësimit të drejtë dhe adekuat, jo vetëm në punësimet në sektorin publik, por edhe në vendimmarrje që përcakton se ai që ka legjitimitet duhet të jetë edhe në vendimmarrje”, u shpreh Blerim Bexheti, deputet i BDI-së.

Sapo nisi kryeministri të përgjigjet, Bexheti me gjashtë kolegë tjerë nga Fronti, shpalosën para foltores tre pankarta me shkrime të cilat në fakt janë fushata të opozitares BDI dhe partnerëve të saj të koalicionit, gjegjësisht “Po Evropës, Jo Rusisë”, “Pa përkatësi etnike nuk ka Marrëveshje të Ohrit” dhe “Larg duart nga gjuha shqipe”.

“Këtë ka mundësi tërë opinioni ta shohë se cilët janë njerëzit që parashtrojnë pyetje nëse paskemi qenë me Rusinë ose Bashkimin Evropian dhe nuk duhet asgjë të përgjigjem në pyetjen, vetëm duhet të incizojnë kamerat prej lartë dhe ja këta janë njerëzit. Këta janë njerëzit që i mbrojnë, i nderuar opinion maqedonas, vlerat evropiane. Shihni, prej tek i pari deri tek i fundit, me dozë respekti ndaj zonjës. Paramendoni kur këta njerëz më flasin a jeni me Rusinë ose Bashkimin Evropian, atëherë mund ta paramendoni se në çfarë gjendje kemi ardhur si shtet”, tha Hristijan Mickoski, kryeministër.

Kryeministri, vazhdoi të ironizojë me skandalet e BDI-së nëpërmjet një, siç e quajti ai anekdote. Fillimisht ai tregoi se si BDI ka qenë e përfshirë në shantazhimin e 8 deputetëve të VMRO-DPMNE-së që kanë votuar për ndryshimin e emrit. Mickoski me ironi tregoi se si një funksionar i lartë i VMRO-së së asaj kohe, u ka treguar përfaqësuesve të BDI-së, se si mund të binden deputetët.

“Këto disa persona, mundeni t’i përfitoni dhe me një bisedë mund të fitoni nëse ua ktheni, dikë ta amnistoni nga krimi me çka t’i jepni ndonjë tender pasi ka kompani ndërtimore, e dini dhe ngjashëm. Dhe në atë mënyrë do të vini te 80 deputetët dhe ndryshimi i emrit kushtetues, ashtu thotë anekdota unë nuk them se është ajo e vërtetë”, deklaroi Hristijan Mickoski, kryeministër.

Anekdotën më tej kryeministri e zgjeroi me skandalet e BDI-së, gjegjësisht blerjen e Qendrës Tregtare Soravia nga nipi i liderit të BDI-së, Ali Ahmeti.
“Pak dëm na bëri ky djaloshi pa mjekër, bleu tërë qendrën tregtare. I thamë vetëm katin e parë ta blejë, por ai vendosi që Qendër tregtare dhe s’ka, qendër tregtare do të blejë. Mos bre qendër tregtare i themi, të paktën katin e parë blije, nuk është patjetër tërë qendrën tregtare”, tha Hristijan Mickoski, kryeministër.

Në lidhje me akuzat e Bexhetit për ndërhyrje të Mickoskit në Gjykatën Kushtetuese për çështjen e balancuesit dhe Ligjin e Gjuhëve, Mickoski tha se gjykatësit janë zgjedhur pikërisht në kohë e pushtetit të BDI-së.

“Ju thoni se VMRO-DPMNE bën trysni, ndërkaq të gjithë ata gjykatës janë zgjedhur me shumicën që sot është opozitë BDI dhe LSDM, të gjithë. Të gjithë gjyqtarët ashtu janë zgjedhur. Ne do të ishim me të vërtetë, të plotfuqishëm nëse këtë që e thoni është ashtu. Atëherë, njëjtë mund të themi se VMRO-DPMNE ka rol të madh ndaj miratimit të vendimeve në Reçicë të Vogël dhe parashtroni pyetje të këtilla që ne të fitojmë pikë politike. Ju faleminderit, çdo respekt”, theksoi Hristijan Mickoski, kryeministër.

Se sa është e sinqertë BDI-ja me çështjen e vetingut, Mickoski iu përgjigj pyetjes së Bexhetit me këto fjalë.

“Vetingu është estrada, ndërkaq pas perdeve janë vendimet që vijnë nga defteri në Reçicë të Vogël”, deklaroi Hristijan Mickoski, kryeministër. /ALsat.mk

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme