Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka reaguar ndaj deklaratave të fundit të kryeministrit Hristijan Mickoski, pasojat e të cilave siç shprehen nga BDI-ja nuk do ti bartë ai por shteti. Sipas partisë së Ahmetit, deklarata e fundit e Mickoskit nuk është vetëm qëndrim i papërshtatshëm politik, por përmban aludime të rrezikshme që prekin ndjeshmëri fetare dhe etnike.
“Retorika e Kryeministrit nuk ndikon vetëm te kundërshtarët e tij politikë ajo prodhon pasoja që do t’i vuajë vetë shteti dhe të gjithë qytetarët e tij. Nëse qëllimi i Kryeministrit është të nxisë përçarje dhe konflikt, BDI nuk do të kontribuojë në mënyrë proaktive në një atmosferë të tillë, por gjithsesi nuk do të qëndrojë pa reagim. Si një parti serioze dhe shtetformuese, ne mund të kemi qëndrime dhe veprime të ndryshme politike, por nuk mund të mbajmë heshtje përballë një diskursi që rrezikon kohezionin dhe unitaritetin e shtetit, veçanërisht kur ky diskurs vjen nga partia më e madhe politike. BDI nuk pret që Kryeministri të jetë në një mendje me ne, kemi vizione të ndryshme. Por presim nga ai që të paktën të kuptojë përgjegjësinë që bart funksioni që ushtron. Të flasësh për “gozhda në duar e këmbë” është jo vetëm e papërshtatshme, por thellësisht e rrezikshme për një lider që duhet të bashkojë qytetarët. Demokracitë e pjekura nuk ndërtohen mbi mallkime dhe fyerje, por mbi institucione, përgjegjësi dhe dialog dinjitoz. Sa më shpejt ta kuptojë këtë Kryeministri, aq më pak dëme do t’i shkaktojë vendit që përfaqëson”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga BDI.