BDI pret shpëtimin nga BESA

Autor: Xhevdet Pozhari

Në mandatin e kaluar qeverisës kur Bashkimi Demokratik për Integrim kishte njëzet deputetë, asnjë shqiptar i Maqedonisë nuk e kishte të qartë pse ajo i nënshtrohej VMRO-DPMNE-së sikur të ishte degë e saj në Strumicë, e jo parti e vetuar nga shqiptarët.

Kur BDI ja ishte e fortë dhe mospërfillëse ndaj shqiptarëve, askush nuk e dinte se çfarë marrëveshje kishte bërë me Gruevskin, e as që bëhej fjalë për llogaridhënie para shqiptarëve për të bëmat e saja. Pavarësisht se dikur BDI – ja ishte e fortë dhe kishte e vetme thuajse aq deputetë sa kanë të gjitha partitë shqiptare tani, shqiptarët e Maqedonisë ndjeheshin si asnjëherë më parë të papërfaqësuar. Sa më e fortë bëhej BDI – ja, aq më mospërfillëse bëhej ajo ndaj popullit që e votonte dhe, në të njëjtën kohë, aq më të dobët dhe të pambrojtur ishin shqiptaret e Maqedonisë.

Por, rezultatet e zgjedhjeve parlamentare të 11 dhjetorit të vitit të kaluar e zhdukën arrogancën e BDI – së. Përnjehërë, një BDI e përgjysmuar, filloi ta dëgjojë popullin e vet dhe kryefjalë të çdo fjalie të saj të jenë interesat shqiptare, thuajse kurrë nuk kishte qenë ajo e dikurshmja që kishte vetëm një punëdhënës – Gruevskin.

Sado që i beftë të duket ky ndryshim, megjithatë parashenjat ishin të qarta veçanërisht në protestën e 9 majin kur rreth 30 mijë shqiptarë vërshuan Shkupin dhe paralajmëruan fundin e sundimit të një partie anti shqiptare si VMRO – DPMNE dhe ndëshkimin e shërbëtorëve të saj. Në skenë u paraqit një Lëvizje e re politike, BESA, ajo që riktheu vlerat e humbura të dinjitetit shqiptar. Dhe një partie mosmirënjohëse ndaj popullit te vet, siç u shndërrua BDI, i ndodhi edhe përballja me mjerimin e saj politik si dhe ballafaqimi me të vërtetën se shqiptarët aq të përbuzur ndjeheshin gjatë qeverisjes së saj, sa iu ishte mbushur mendja se më mirë iu del të shkojnë vullnetarisht tek një parti maqedonase – siç ndodhi me votat shqiptare të LSDM’së, sesa ashtu grumbull të gjithë votuesit BDI – ja t’ia jep si peshqesh Gruevskit.

Mbase BDI – ja edhe më tutje do të vazhdonte të ishte mospërfillëse ndaj popullit të saj sikur në skenën politike mos paraqitej Lëvizja Besa e cila të gjithëve u dëshmoi se forcën politike nuk e përbën numri i i deputeteve, por besimi në atë që dëshiron ta arrish dhe besnikëria ndaj votës së atyre që i përfaqëson.

Kanë mbetur në të kaluarën ditët kur BDI – ja ishte e fortë, ndërsa shqiptarët e Maqedonisë të dobët dhe të papërfillshëm, thuajse nuk kishin fare përfaqësues të tyre dhe askush nuk e dinte se për çfarë bisedonin dhe për çka merreshin vesh “pashallarë e BDI – së” me Sasho Mijallkovin. Tani, për dallim nga atëherë BDI është bë “frikacake” dhe nuk guxon të jetë mospërfillëse ndaj popullit të vet. Ajo është e frikësuar ngaqë më mirë se çdokush tjetër e ka kuptuar se ka ardhur një brez i ri politik i cili nuk manipulohet lehtë dhe nuk ndjehet inferiore ndaj askujt. Aq më shumë, ky brez i ri politikanësh dinjitetin dhe interesin e popullit e ndjenjë si amanet dhe dëshmon nga dita në ditë se nderi nuk është mall që shitet e blihet. Andaj, BDI – ja e sotme u është kthyer shqiptarëve jo shkaku i ndonjë vetëdije të re të kryesuesve te saj, por ngaqë shpreson se vetëm kështu mund t’i shpëtojnë asaj që është e pashmangshme – “vdekjes politike”.

Kujdesi i BDI – së ndaj shqiptarëve vetëm sa do të rritet në të ardhmen sepse atë më nuk do të mund ta shpëtojnë “sashot”, por mëkatet e tyre mund t’i shpërlajnë vetëm partitë tjera shqiptare. Andaj, BDI më mirë se kushdo tjetër e din se atë nga shkatërrimi mund ta shpëtojë vetëm ajo parti shqiptare që e përballi me shëmtinë e saj Lëvizja BESA. Madje, edhe sikur kjo Lëvizje do ta bënte hapin aq të dëshiruar dhe të shumëpritur nga BDI-ja: të bëhet pjesë e qeverisë së Zaevit, në të cilën qeveri do të merrnin pjesë të gjitha partitë shqiptare, në krye me hajnat e BDI – së.

Nuk duhet harruar kurrë se kur bëhet fjalë për relacionin BDI-VMRO – DPMNE këta “vëllezër të një gjaku” nuk mund të ndahen aq lehtë nga njëri – tjetri. Dhe nuk do të jetë farë befasi nëse “në emër të shqiptarisë” BDI mos të bëhet pjesë e asnjë koalicioni qeverisës duke tentuar të arrijë dy objektiva në të njëjtën kohë: ta shpërlajë vetveten, si dhe ta ndihmojë VMRO – DPMNE’në që të shkohet në zgjedhje të reja parlamentare. Kjo pët faktin se LSDM më nuk mund të llogarisë në votat e shqiptarëve dhe pa ato vota ajo do të ishte shumë më e dobët sesa koalicioni që përfaqëson Nikolla Gruevski.

E gjithë kjo lojë politike do të varet nga Lëvizja BESA. Gjithçka varet se sa kjo parti politike do t’u qëndrojë deri në fund besnike parimeve të saj se nuk vlen asgjë pjesëmarrja në një Qeveri nëse i bën të largëta idealet e popullit tënd. Thënë ndryshe, BDI – ja tani do të bëjë çmos që në mënyrë indirekte ta shpëtojë VMRO – DPMNE’në, por njëkohësisht është e vetëdijshme se atë vetë, pra BDI – në, mund ta shpëtojë vetëm Lëvizja BESA nëse nuk bie pre e lojërave të ndyra politike të Ali Ahmetit dhe satelitëve të tij “opozitar” që janë angazhuar maksimalisht për bashkimin e partive shqiptare, duke harruar se popullit shqiptarë nuk i mungojnë liderë partiak që bashkërisht hanë dreka dhe darka, por politikanë që din të turpërohen.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme