BDI rimbledh kryesinë, bisedojnë deri pas mesnate Kryesore | Publikuar më 16.02.2017 në ora 16:45

BDI këto ditë pritet të rikthejë mbledhjet maratonike të kryesisë qendrore ku do të shqyrtohet dokumenti i pranuar nga LSDM dhe që ka të bëjë me platformën e partive shqiptare. Jozyrtarisht mësohet se konsultimet kanë filluar që dje, ndërsa ditët në vazhdim pritet të shpeshtohen dhe të zyrtarizohen.
Ndërkohë nga LSDM edhe një herë kanë rikujtuar BDI-në se në vend të përgjigjes presin nënshkrimet e deputetëve të kësaj partie me të cilat Zoran Zaev do të marrë mandatin për formimin e Qeverisë. Zëdhënësi Petre Shilegov tha se për përmbajtjen e platformës së ardhshme qeveritare Zaev do të flasë vetëm si mandatar, pasi t’i marrë nënshkrimet e nevojshme.
“Presim që sinjalet nga BDI të jenë në formë të nënshkrimeve për mandate për formimin e Qeverisë. Në këtë fazë flasim për nënshkrime për mandate dhe jo për përmbajtjen dhe llojin e  Qeverisë. Ajo që ne presim të pranojmë është mandati për formimin e Qeverisë së ardhshme”, ka thënë zëdhënësi i LSDM-së, Petre Shilegov.
I pyetur për deklaratat e fundit që lëshohen nga selia e VMRO-DPMNE-së për skenare të errëta nëse LSDM formon Qeverinë e ardhshme, Shilegov tha se të njëjtat nuk mbajnë dhe janë vetëm tentim për të frikësuar opinionin vendor. Zëdhënësi i LSDM-së tha se pas zgjedhjeve të fundit Maqedonia tanimë është shtet stabil dhe nuk ka hapësirë për frikë nga asnjë lloj skenari./Shenja