Autor: Adnan Azizi
“Zullumi që ua shkaktoi shqiptarëve BDI-ja gjatë këtyre 14 viteve, vështirë mund të përllogaritet dhe matet. BDI-ja ua shqiptarëve rrënoi historinë, ua vështirësoi të sotmen dhe ua shkatërroi të ardhmen. BDI-ja shkatërroi gjithçka të vlefshme për shqiptarët: moralin, virtytet shoqërore dhe kombëtare, shkeli dhe tradhtoi gjakun e dëshmorëve, e uli dinjitetin e shqiptarëve (në atë shkallë saqë sllavët e Maqedonisë na emërtuan “диво племе” dhe “индијанци”), e përbuzi edhe veten e tyre duke u vetëdeklaruar se janë më “shkja se shkijet”.
Të gjitha këto krime janë shumë të vogla në krahasim me krimin më makabër që e ka bërë dhe vazhdon ta bëjë BDI-ja – shkatërrimin e arsimit shqip. Duke filluar që nga arsimi fillor, e deri te ai pasuniversitar, BDI-ja me veprimet e saj jashtë çdo logjike, e shkatërroi bërthamën edhe indin e arsimit shqip. Sot, si asnjëherë më parë, nxënësit shqiptarë edukohen dhe mësojnë me tekste ku fyhen kombi shqiptar dhe feja e tyre, ata mësojnë në objekte ku mungon shumëçka, shpesh edukohen dhe mësohen nga militantë partiakë dhe jo mësimdhenës të kualifikuar, ndërsa shkollat shqipe udhëhiqen nga drejtorë që detyrë parësore e kanë angazhimin e tyre politik.
Intelektualët shqiptarë, pavarësisht përcaktimeve të tyre politike, duhet ta marrin përgjegjësinë që u takon dhe ta ngrenë zërin e arsyes, duke i thënë NDAL kësaj çoroditjeje. Nëse nuk e bëjnë një gjë të tillë sot, do t’i gjykojë historia nesër”.