BDI: UÇK është gjithçka për shqiptarët, jo asgjë ministre Janevska!

Bashkimi Demokratik për Integrim ka dënuar deklaratat e ministres së Arsimit, Vesna Janevska,, sipas BDI-së, ato janë fyerje e rëndë ndaj shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut dhe një tentativë për të shuar kujtesën dhe sakrificat historike të popullit shqiptar për UÇK-në.

“Të thuash se UÇK ‘nuk përfaqëson asgjë për këtë shtet’ është një akt i papranueshëm, që tregon mungesë respekti ndaj një pjese të rëndësishme të popullatës dhe një përpjekje për të fshirë kontributin e shqiptarëve në këtë vend. UÇK nuk është ‘asgjë’ për shqiptarët – ajo përfaqëson sakrificën për barazi, drejtësi dhe dinjitet. UÇK për shqiptarët është simbol i përpjekjeve për një shoqëri më të drejtë dhe për ndërtimin e një shteti ku çdo qytetar të jetë i barabartë. Çdo përpjekje për të mohuar këtë të vërtetë historike është një akt diskriminimi që thellon ndarjet ndëretnike dhe dëmton ndjeshëm harmoninë shoqërore”, thuhet në reagimin e BDI-së.

Kjo qasje selektive dhe hipokrite, sipas kësaj partie, është e papranueshme. “Të nderosh Komitët, ndërsa përbuz UÇK-në, është dëshmi e standardeve të dyfishta dhe mungesës së sinqeritetit nga kjo qeveri”.

Bashkimi Demokratik për Integrim thotë se dënon fuqishëm këtë qasje dhe kërkon që Ministrja të tërheqë menjëherë deklaratën fyese dhe të kërkojë falje publike.

Kjo parti thotë se kërkon që kjo qeveri të reflektojë dhe të ndalojë përdorimin e standardeve të dyfishta që thellojnë ndarjet dhe rrisin tensionet ndëretnike.

“UÇK për shqiptarët është historia, sakrifica dhe krenaria jonë. Kushdo që e nënvlerëson këtë simbol të rëndësishëm duhet të kuptojë se nuk mund të ndërtojë një të ardhme të përbashkët duke fyer dhe përjashtuar një popull të tërë. Shqiptarët kanë dhënë gjithmonë kontribut për këtë shtet dhe nuk do të lejojnë kurrë që historia e tyre të reduktohet në ‘asgjë’”.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme