Gazetar: Suad Bajrami
“Bëhet fjalë për një ligj, për zhveshje të disa institucioneve që i shërben vetëm agjendës së VMRO-DPMNE-së dhe vazhdon zhveshja dhe defaktorizimi i kuadrove shqiptarë jo legjitim që do të udhëheqin në dikasteret në një Qeveri jo legjitime”, tha Blerim Bexheti, Deputet i Frontit Evropian.
Kështu të hënën deklaroi deputeti i BDI-së nga Fronti Evropian, Blerim Bexheti, në lidhje me ligjin për riorganizimin e ministrive, i cili u miratua pikërisht me ndihmën e vetë Bexhetit dhe kolegëve të tij nga BDI.
Gjatë debatit të djeshëm, Bexheti, u mundua të japë arsyetime dhe sqarime për ndryshimin drastik të qëndrimit të BDI-së, i cili artikulohej në publik vetëm disa ditë më parë.
“Duke e shqyrtuar, mendoj se është bartje e kompetencave nga një institucion në tjetër institucion ku mund edhe të ketë logjikë për efikasitet”, theksoi Blerim Bexheti Fronti Europian.
Për të ndryshuar mendje, sipas kumtesës së përbashkët të Frontit Europian dhe VMRO-DPMNE-së, ka qenë gatishmëria e VMRO-së për të pranuar ofertën e BDI-së, që të formohet një komision i përkohshëm kuvendor. Detyra e këtij komisioni është të ndjekë përfaqësimin e drejtë etnik në ekzekutiv dhe për këtë duhet ta informojë Kuvendin dy herë në vit.
Në kohën kur, Avokati i Popullit, Balanseri, por edhe një sërë institucionesh kompetente ndjekin përfaqësimin etnik, një komision i tillë, do të ishte i diskutueshëm. Aq më shumë, duke e pasur parasysh historikun e komisioneve në vend, të cilat numërohen si raste dështimi.
Madje, partneri i afërt i BDI-së në Frontin Europian, Aleanca për Shqiptarët nga krahu i Ziadin Selës edhe pse ka qenë në takim, nuk është bindur, që në këto kushte, të ndryshojë qëndrimin kundër riorganizimit të qeverisë. Katër deputetët e ASH-së, nuk votuan.
“Mbetemi në Frontin Europian dhe përfaqësuesi ynë ishte në takim me VMRO-DPMNE-në, por e mbajmë autonominë tonë dhe vlerësojmë se ligjin nuk duhet ta mbështesim”, thonë nga Aleanca për Shqiptarët.
Gjatë votimit të ligjit, në Kuvend nuk ka qenë as partneri tjetër i BDI-së në Frontin Europian, Skender Rexhepi – Zejd.
Nga VMRO-DPMNE-ja, sot deklaruan se BDI-ja, ka votuar pa vënë asnjë kusht.
“Dhe për herë të parë, përfaqësuesit e BDI-së votuan pa mundësi që të kushtëzojnë, pasi që ndryshimet ligjore janë reformuese dhe transparente. Dhe në këtë situatë, askush për asgjë nuk mund të shantazhojë”, tha Marija Miteva, deputete e VMRO-DPMNE-së.
Opozita maqedonase, ironizoi me situatën e krijuar mes VMRO-DPMNE-së dhe BDI-së, pas votimit të ligjit. Sllavjanka Petrovska nga LSDM, shkruan në Facebook që të mos kërkohen, se janë në pushtet.
“Ku jeni “patriotë”? Ku jeni, ku shkuat? Për ju qanë… Në pushtet janë, mos i kërkoni! DPMNE+BDI”, shtoi Sllavjanka Petrovska, LSDM./Alsat.mk