Bashkimi Evropian paralajmëroi sot se është gati t’u kundërpërgjigjet SHBA-ve lidhur me tarifat e propozuara të Presidentit Donald Trump mbi çelikun dhe aluminin, me kundërmasa ndaj produkteve amerikane, si motoçikletat Harley Davidson, xhinset dhe uiskin burbon.
Komisionerja e Tregtisë Cecilia Malmstrom tha se BE, blloku më i madh tregtar në botë, hedh poshtë arsyetimin e zotit Trump se tarifat mbështeten nga e drejta ligjore ndërkombëtare për të mbrojtur sigurinë kombëtare.
Nëse futen tarifat, tha ajo, BE dhe partnerët e tjerë do ta dërgojnë çështjen në Organizatën Botërore të Tregtisë.
Presidenti Trump ka kërcënuar prej kohe ndaj atyre që ai i konsideron praktika tregtare të padrejta nga Kina dhe vende të tjera. Javën e kaluar ai deklaroi se qeveria e tij do të impononte tarifa prej 25 përqind ndaj çelikut të importuar dhe 10 përqind ndaj importeve të aluminit.
Ai tha se tarifat do të mbeteshin për “një periudhë të gjatë kohe”. Megjithatë, nuk është e qartë nëse disa partnerë tregtarë do të përjashtoheshin nga tarifa të tilla.