BE-ja pa qëndrim ndaj propozimit të Kurtit për reciprocitet

Ndryshe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilat në mënyrë eksplicite e kanë kundërshtuar idenë e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti për aplikimin e masave të reciprocitetit, pas të cilave do të hiqej taksa prej 100 për qind për prodhimet nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina, qendrat evropiane insistojnë për heqjen e taksës, por nuk kanë komentuar paralajmërimet për futjen e masës së reciprocitetit.

Kurti, pas marrjes së detyrës së kryeministrit, më 3 shkurt, ka deklaruar që taksa ndaj Serbisë do të hiqet dhe do të zëvendësohet me reciprocitet politik, ekonomik dhe tregtar, duke e konsideruar këtë masë si një parim të marrëdhënieve të shëndosha ndërmjet dy shteteve.

Lidhur me çështjen e reciprocitetit, i dërguari i posaçëm i presidentit amerikan për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Richard Grenell, ka deklaruar që nuk e mbështetë idenë e Kurtit për futjen e masës së reciprocitetit ndaj Serbisë. Zëdhënësi i tij, Dick Custin, ka deklaruar për Radion Evropa e Lirë që ambasadori Grenell e inkurajon Kosovën që ta heqë taksën pa e zbatuar reciprocitetin.

Gjatë vizitës në Prishtinë, para se të zgjidhej qeveria e re, Grenell porositi që heqja e taksës duhet të ndodhë në të njëjtën kohë edhe me ndërprerjen e fushatës së Serbisë për tërheqjen e njohjeve të pavarësisë së Kosovës.

Gjithashtu, Sekretari amerikan i shtetit, Mike Pompeo, ka porositur kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, që heqja e taksës prej 100 për qind ndaj mallrave të Serbisë dhe Bosnjë e Hercegovinës, do të jetë e rëndësishme për rikthimin e palëve në tavolinën e bisedimeve.

“Shpresojmë dhe presim që këtë ta bëjë prioritet dhe ta shfrytëzojë momentin që ka dalë pas letrave të qëllimit për vendosjen e linjave ajrore dhe hekurudhore ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit”, ka thënë Pompeo.

Pompeo i shkruan Kurtit, taksa dhe njohja e ndërsjellë me Serbinë konsiderohen prioritete

Në letrën që ai ia ka dërguar Kurtit me rastin e zgjedhjes së qeverisë së re, ka thënë që tash “është koha për realizimin e normalizimit gjithëpërfshirës të marrëdhënieve me Serbinë, të përqendruara në njohjen e ndërsjellë, gjë që është me rëndësi thelbësore për integrimin e plotë ndërkombëtar të Kosovës”.

“Shtetet e Bashkuara do t’ju mbështesin në atë proces”, thuhet në letër.

Megjithatë, Brukseli zyrtar , Berlini dhe Parisi, po heshtin lidhur me çështjen e reciprocitetit, por insistojnë në heqjen e taksës, në mënyrë që të hapet mundësia për vazhdimin e dialogut Kosovë-Serbi. Beogradi zyrtar po refuzon të kthehet në tavolinën e bisedimeve në Bruksel, derisa Kosova ta heqë taksën, të cilën e kishte vendosur qeveria paraprake e Ramush Haradinajt, në nëntor të vitit 2018, ndaj mallrave të Serbisë dhe Bosnjë e Hercegovinës.

Radio Evropa e Lirë e ka pyetur Ambasadën e Gjermanisë në Prishtinë se si e komenton Gjermania paralajmërimin e kryeministrit të Kosovës që taksën do ta zëvendësojë me masa të reciprocitetit. Në përgjigjen e saj, kjo ambasadë ka theksuar që qëndrimi i tyre nuk ka ndryshuar.

“Qeveria gjermane do ta përshëndeste heqjen e menjëhershme të taksës prej 100 për qind ndaj Serbisë dhe Bosnjë e Hercegovinës. Ky do të ishte hap i rëndësishëm për inicimin e sërishëm të dialogut nën ombrellën e Bashkimit Evropian”, thuhet në përgjigjen e Ambasadës së Gjermanisë në Prishtinë.

Në pyetjen e njëjtë, zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, i ka thënë Radios Evropa e Lirë që për vazhdimin e dialogut fillimisht nevojitet besimi i plotë i Beogradit dhe Prishtinës dhe që të dyja palët janë përgjegjëse për të siguruar vazhdimin e shpejtë të dialogut.

“Gjatë vizitës në Kosovë dhe Serbi, përfaqësuesi i lartë dhe nënpresidenti (Joseph) Borell ka theksuar që çështjet sikurse taksa në Kosovë dhe disa aktivitete diplomatike të Serbisë kanë krijuar tensione të panevojshme ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës dhe të dyja palët duhet që ta rikthejnë situatën, në të cilën dialogu është i mundshëm”, theksoi Stano.

E pyetur se si i komenton masat e reciprocitetit, Përfaqësuesja Speciale e BE-së në Prishtinë, Nataliyia Apostolova, më 5 shkurt, në Prishtinë, në një konferencë për media , bashkë me Kurtin, ajo ka deklaruar që bashkë me nevojën për heqjen e taksës, nga qeveria e re, “pritet që të dalë me propozime dhe ide të reja se si do ta trajtojnë këtë çështje”.

Lidhur me nevojën për heqjen e taksës prej 100 për qind ndaj mallrave të Serbisë dhe Bosnjë e Hercegovinës, si dhe ndërprerjes së fushatës kundër pavarësisë së Kosovës nga ana e Serbisë, ka folur edhe presidenti i Francës, Emmanuel Macron.

Ai, përmes një letre, të cilën ia ka dërguar kryeministrit Kurti, ka thënë që një gjë e tillë është e nevojshme, për të rinisur dialogun Kosovë-Serbi. Macron i ka ofruar mbështetje Kurtit për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duke theksuar që kjo është një sfidë e madhe për të ardhmen e Kosovës, por edhe për sigurinë evropiane.

Në muajin korrik të vitit të kaluar, unë u bëra thirrje serbëve dhe kosovarëve që të veprojnë si evropianë duke kërkuar një kompromis. Hapi i parë, natyrisht që duhet të jetë rifillimi i dialogut, të cilin unë jam i gatshëm ta lehtësoj duke e organizuar në Paris, së shpejti, një samit me udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë, së bashku me kancelaren Merkel dhe Përfaqësuesin e Lartë, Borell”, thuhet në letrën e Macronit, të cilën ia ka dërguar Kurtit më 7 shkurt.

Dialogu i Brukselit, ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ka nisur në vitin 2011, si teknik dhe ka vazhduar që nga viti 2013 si dialog politik, kur edhe është arritur “Marrëveshja e parë për parimet e normalizimit të marrëdhënieve të Beogradit dhe Prishtinës”.

Që nga nëntori i vitit 2018, kur Kosova ka aplikuar taksën prej 100 për qind ndaj mallrave të Serbisë dhe Bosnjë e Hercegovinës, Beogradi zyrtar e ka suspenduar pjesëmarrjen e tij në dialog deri në heqjen e kësaj mase.

Gjatë ngecjes së këtij dialogu, megjithatë, Berlini dhe Parisi kanë provuar që të kontribuojnë në marrëdhëniet ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit., me qëllim të arritjes së një marrëveshje përfundimtare ndërmjet dy palëve.

Në një konferencë të liderëve të Ballkanit Perëndimor në Berlin, në prill të vitit 2019, kancelaria gjermane, Angela Merkel ka porositur që konferenca nuk e ka për qëllim ta zëvendësojë procesin e Brukselit dhe as bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, si dhe që “zgjidhja përfundimtare për Kosovën dhe Serbinë nuk mund të jetë në dëm të të tjerëve në rajon”.

Takimi i radhës, i cili do të duhej të mbahej në Paris, në korrik të vitit 2019, është anuluar, derisa kryeministri i atëhershëm, Ramush Haradinaj, me këmbëngulje ka refuzuar që ta heqë taksën deri sa Serbia ta njohë pavarësinë e Kosovës.

Në marrëdhëniet e Kosovës dhe Serbisë, në muajt e fundit, në mënyrë të veçantë është përfshirë ambasadori amerikan në Berlin, Grenell, i cili arriti të sigurojë pajtimin e të dyja palëve për vendosjen e linjave ajrore dhe hekurudhore, gjë që Bashkimin Evropian e kishte zënë “në befasi”.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme