Sot është mbajtur takimi i tretë i Këshillit të Stabilizim – Asociimit mes BE-së dhe Kosovës.
Bashkimi Evropian edhe sot ka këmbëngulur në heqjen e tarifave të vendosura nga Prishtina ndaj Serbisë dhe Bosnje e Hercegovinës duke iu bërë thirrje autoriteteve të Prishtinës për të vazhduar zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit.
“BE nënvizon rëndësinë e zbatimit të vazhdueshëm dhe efektiv të MSA-së si dhe detyrimet e tjera kontraktuale duke përfshirë tregtinë dhe doganat. BE-ja shprehë keqardhje me vendimin e njëanshëm të autoriteteve të Prishtinës për rritjes e tarifave mbi importet nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina dhe insiston urgjentisht në heqjen e tyre”, thuhet në një deklaratë të Këshillit të BE-së, transmeton lajmi.net.
Këshilli i BE-së thekson se futja e tarifave është e dëmshme për interesat ekonomike të Kosovës si dhe zvogëlon rrjedhën e tregtisë.
Tutje, BE ka kërkuar që të gjitha marrëveshjet e Brukselit të përmbushen.
“Të gjitha marrëveshjet e dialogut duhet të zbatohen pa vonesa të mëtejshme, veçanërisht marrëveshja për themelimin e Asociacionit të komunave serbe”.
Për çështjen e liberalizimit të vizave, thuhet se Këshilli i BE-së dhe Parlamenti Evropian duhet të marrin në konsideratë raportin e Komisionit Evropian për përmbushjen e kushteve të mbetura.
Vlen të theksohet se kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj ka refuzuar të heq taksën prej 100 për qind dhe për shkak të dallimeve në mes dy palëve nuk është mbajtur as konferenca për media.