Ishte menduar të jetë një takim historik i liderëve të Bashkimit Evropian dhe atyre të Ballkanit Perëndimor, në të cilin do t’i jepej një shtytje e re procesit të zgjerimit. Dhe takimi, sipas idesë origjinale, është dashur të zhvillohej në Zagreb, aty ku para 20 vjetësh në një samit të ngjashëm u hap rruga e integrimit në BE për vendet e rajonit. Prej atëherë vetëm Kroacia përmbylli tërë rrugëtimin dhe u bë anëtare e BE-së, e cila në këtë moment e ka edhe kryesimin e radhës së BE-së. Ideja e Kroacisë ishte që ta kthente rajonin e Ballkanit në fokus të BE-së.
Koha Ditore” ka siguruar draftin e përgatitur që të miratohet pas kësaj video-konference dhe në të dominojnë pikat që kanë të bëjnë me përballjen me pandeminë, por edhe kërkesat që vendet e rajonit të fokusohen më shumë në luftë kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.
“Ne, liderët e Bashkimit Evropian dhe shteteve anëtare, në konsultim me partnerët tanë në Ballkanin Perëndimor, sot rikonfirmojmë solidaritetin tonë me Ballkanin Perëndimor. Shkalla e paparë e krizës së koronavirusit thërret për një solidaritet panevropian. BE-ja qëndron pranë partnerëve të saj në Ballkanin Perëndimor dhe mbetet e përkushtuar t’i mbështesë aktivisht në përpjekjet për ta luftuar shpërthimin e koronavirusit dhe pasojat strukturore në shoqëri dhe ekonomi”, thuhet në këtë dokument katërfaqësh që duhet të miratohet nga liderët e 27 vendeve të BE-së dhe të gjashtë shteteve të rajonit të Ballkanit Perëndimor.