Mos-hapja e dyerve të BE-së për Shqipërinë dhe për Maqedoninë e Veriut pritet të ndikojë negativisht edhe te Kosova, e cila është në fazën fillestare të integrimit në BE. Ndonëse BE-ja ka një varg kërkesash për Kosovën, me theks të veçantë te dialogu me Serbinë, ky institucion ende nuk ka dhënë një vendim pozitiv për heqjen e vizave për kosovarët, ndonëse një gjë të tillë e kishte premtuar kohë më parë, shkruan sot gazeta “Zëri”.
Pas mosarritjes së konsensusit në Bashkimin Evropian për t’i hapur negociatat me Shqipërinë dhe me Maqedoninë e Veriut, një gjë e tillë pritet të ulë pritshmëritë e “evropianëve të rinj”, të kosovarëve drejt ëndrrës së tyre euroatlantike. Javën që lamë pas shtetet e Bashkimit Evropian i thanë “Jo” nisjes së negociatave të anëtarësimit me dy vendet e Ballkanit Perëndimor, Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, ndonëse në tryezën e bisedimeve mbizotëruan zërat se këtyre dy shteteve duhej dhënë përgjigje pozitive.
E derisa BE-ja vazhdon të ketë një numër të lartë kërkesash ndaj Kosovës, ku mbizotëron ajo për arritjen e një marrëveshjeje finale me Serbinë, shtetet anëtare të këtij unioni po vazhdojnë të mos unifikohen sa i përket heqjes së vizave të Kosovës. Kosovarët po vazhdojnë të mbahen të izoluar, ndonëse zyrtarë të BE-së u kishin premtuar atyre se me t’u arritur Marrëveshja e Demarkacionit me Malin e zi do të hiqeshin edhe vizat.
Ekspertë të integrimeve vlerësojnë se mosunifikimi i BE-së për t’i hapur bisedimet me Shqipërinë dhe me Maqedoninë e Veriut, si dhe mosdakordimi i tyre për heqjen e vizave për Kosovën shpërfaq mungesën e vullnetit të shteteve anëtare për të përkrahur zgjerimin e mëtutjeshëm të BE-së, qoftë në kuptimin e procesit të anëtarësimit, qoftë të heqjes së vizave.