Përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian në Prishtinë, Natalia Apostolova, ka theksuar rëndësinë e emërimit të ministrit të ri të Integrimit.
Kreu i Kuvendit, njëkohësisht kryetar i PDK-së, Kadri Veseli, i kishte premtuar Apostolavas se brenda javës do ta emëronte pasardhësin e Bekim Çollakut në krye të kësaj ministrie, por nuk i ka dalë në fjalë zyrtares evropiane.
“Është e rëndësishme që Qeveria të emërojë ministrin e Integrimit Evropian për të siguruar vazhdimësi dhe efektivitet në zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim- Asocimit, si dhe caktimin e prioriteteve drejt qëllimit të afrimit me BE-në”, shkruan në përgjigjen e BE-së, kur janë pyetur për “shkeljen” e premtimit të kryeparlamentarit Veseli, se brenda javës do ta emërojë pasardhësin e Bekim Çollakut.
Në konferencën e përbashkët të mërkurën e javës së kaluar, Apostolova kishte “përgëzuar” kryetarin Veseli për njoftimin se raporti financiar i partisë më të madhe politike do të publikohet së shpejti, dhe “për zotimin se emërimi i ministrit për Integrim Evropian do të bëhet brenda një jave”.
Raporti financiar u publikua, por nuk u bë emërimi i ministrit.