Becchetti përlan 130 milionë euro të Shqipërisë/ Gjykata e Brukselit urdhëron Eurocontrol të kalojë paratë e bllokuara tek biznesmeni italian

Me gjithë përbetimet e Edi Ramës se Francesco Becchetti nuk do të merrte asnjë qindarkë nga paratë e shqiptarëve, biznesmeni italian ka marrë të drejtën për të konfiskuar 130 milionë euro nga paratë që mbante të bllokuara prej disa vitesh në llogarinë e Shqipërisë në Eurocontrol. Gjykata e Shkallës së Parë në Bruksel ka urdhëruar agjencinë Eurocontrol të ekzekutojë vendimin duke kaluar fondet e bllokuara në llogarinë e përmbaruesit të Becchettit.

“Në një vendim të datës 17 tetor 2024, gjyqtari i sekuestrimeve i Gjykatës së Shkallës së Parë Frëngjishtfolëse të Brukselit konfirmoi se vendimi duhet të zbatohej menjëherë dhe vendosi se Eurocontrol, që mban fonde për Republikën e Shqipërisë, ka detyrim ligjor për të transferuar fondet e ngrira për përmbaruesin e Becchettit,” zbulon Eureporter.

 Image

Me këtë vendim, përmbaruesi i Becchettit do të konfiskojë 108 milionë eurot e gjobës së arbitrazhit kundër Shqipërisë plus interesat dhe kamatat, të cilat në total arrijnë në rreth 130 milionë euro.

Dhe sipas vendimit, tashmë qeveria nuk ka më asnjë instrument për ta ndalur konfiskimin.

“Gjykata vendosi më tej se çdo apel nuk do të kishte një efekt pezullues në vendimin e konfiskimit,” zbulohet në vendim.

Gjyqi

Në prill të vitit 2019,Gjykata Ndërkombëtare për Zgidhjen e Mosmarrëveshjeve të Investimeve në Uashington (ICSID), pjesë e Bankës Botërore, e dënoi qeverinë shqiptare që të paguajë 108 milionë euro gjobë për llogari të Francesco Becchettit për sekuestrimin e Agon Channel.

Menjëherë pas këtij vendimi, biznesmeni italian iu drejtua një gjykate në Belgjikë për të autorizuar ekzekutimin e gjobës. Becchetti kishte piketuar paratë që Shqipëria fiton nga hapësira ajrore të cilat kompanitë e fluturimit i depozitojnë në Eurocontrol dhe ky i fundit ja kthen Albcontrolit shqiptar.

Në dhjetor të vitit 2020, gjykata belge urdhëroi bllokimin e menjëhershëm të llogarisë së Shqipërisë në Eurocontrol. Që nga ai moment, Albcontrol nuk ka mundur të tërheqë dot asnjë qindarkë nga të ardhurat e përdorimit të hapësirës ajrore të Shqipërisë.

Sipas pasqyrave financiare të shoqërisë rezulton se deri në fund të vitit 2023, Albcontrol kishte rreth 10.3 miliardë lekë ose mbi 103 milionë euro të bllokuara nga Becçhetti në Bruksel.

Përpjekje të dëshpëruara

Qeveria shqiptare u përpoq për katër vite rresht në një betejë të dëshpëruar gjyqësore në të dy frontet, si atë të arbitrazhit ashtu dhe në gjykatat belge, për të ndalur konfiskimin e parave.

Fillimisht, në vitin 2021, Avokatura e Shtetit e apeloi vendimin e Arbitrazhit të Uashingtonit duke kërkuar anullimin e tij. Por kërkesa për anullim u rrëzua. Dy vjet më pas, qeveria kërkoi po nga e njëjta gjykatë rishikimin e gjobës. Edhe kjo kërkesë u rrëzua.

Ndërkohë në frontin belg, qeveria e apeloi vendimin e sekuestrimit të parave në Apel dhe e humbi. Më pas u mundua të ndalonte konfiskimin e tyre nga përmbaruesi, por dy javë më parë e humbi edhe këtë padi.

Aktualisht Shqipëria ka në vazhdim dy padi të tjera gjyqësore për këtë çështje. E pari është në Gjykatën Supreme të Belgjikës, ku qeveria ka kërkuar imunitet për paratë e Albcontrol, me argumentin se ato nuk mund të sekuestrohen pasi janë të rëndësishme për sigurinë kombëtare, por edhe të 41 vendeve të cilët janë pjesë e Eurocontrol.

çështja e dytë është në Gjykatën e Apelit të Parisit, ku qeveria ka kërkuar anullimin e vendimit të arbitrazhit nga ICSID.

Por pavarësisht këtyre dy çështjeve, gjykata në Belgjikë ka urdhëruar konfiskimin e menjëhershëm të parave duke i dhënë të drejtën e pa apelueshme përmbaruesit të Becchettit për të konfiskuar paratë e bllokuara dhe t’i kalojë ato në llogarinë e biznesmenit italian.

Përgjegjësit

Humbja e 130 milion eurove nga qytetarët shqiptarë ka emra konkret përgjegjësish. Ato gjendet të gjithë në vendimin e Gjykatë së Arbitrazhit. I pari është kryeministri Edi Rama me deklarimet e tij publike kundër biznesmenit italian, të cilat gjykata i cilësoi si prova të persekutimit politik të Becchettit.

Image

Deklarimet publike te Rames qe u perdoren si baze per vendimin e Arbitrazhit

Ky është dëmi më i madh financiare, që u është shkaktuar taksapaguesve shqiptarë. Por veç Edi Ramës, ky dëm ka dhe dy bashkëautorë të tjerë. I pari është Erion Veliaj, i cili dërgonte SMS kërcënuese, kur gazetarët e Agon i filmuan dasmën në Kalanë e Gjirokastrës.

Image

SMS e Veliajt per gazetaret e Agon Channel qe u perdor si baze per vendimin e Arbitrazhit

Bashkëautori i dytë është Engjëll  Agaçi, sekretari i Përgjithshëm i Kryeministrisë. Ky gjatë një dreke në ish restorant Berlinin në Tiranë, e kërcenoi Becchettin me mesazhe mafioze.

Image

Kercenimi i Agacit qe u perdor si baze per vendimin e Arbitrazhit

Të tre këta, me veprimet e tyre iu morën qytetarëve shqiptarë 130 milionë euro, në këmbim të asgjëje.

Para gropës Becchetti edhe inceneratori duket një biznes i ndershëm, pasi të paktën Zoto me Mërtirin mbollën disa pemë në Sharrë, kurse biznesmeni italian mori paratë falë Ramës, Veliajt dhe Agacit duke iu lënë shqiptarëve Noc Rrokun e kryeministrit./kapitali.al/

© SYRI.net

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme