Bechtel&Enka mund t’ia marrë ende para Kosovës, po negocion ndërtimin e kyçjeve në autostradë

Autostrada “Arbën Xhaferi” nuk ka përfunduar së ndërtuari ende. Pavarësisht se përurimi i saj u bë në fund të majit, punimet në të pritet të zgjasin deri në fund të vitit të ardhshëm.

Me kërkesë të Ministrisë së Infrastrukturës, Qeveria mori vendim për zgjatjen e afatit të Kontratës për ndërtimin e Autostradës R6 “Arbën Xhaferi”, Prishtinë –  Hani i Elezit, deri në dhjetor 2020, për punët shtesë në ndërtimin e dy kyçjeve në Ferizaj dhe Viti dhe mbikalimin në Paldenicë.

Por, se sa do të kushtojnë këto tri projekte, nuk po e dijnë as në Ministrinë e Infrastrukturës.

Deklarojnë se janë në pritje të ofertave nga “Bechtel&Enka”, kompani kjo që e gjobiti shtetin me 53 milionë euro për vonesa në pagesa dhe zvarritje të punimeve.

Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj i ka thënë Gazetës Express se ende nuk dihet se sa do të jetë kostoja e këtyre projekteve, meqenëse ende nuk ka përfunduar procesi i negocimit me kompaninë që i janë besuar punimet.

“Ende nuk ka përfunduar procesi i negociimit me me Bechtel Enka. Pas përfundimit të tyre, do të dihet kosto dhe gjitha detajet tjera”, ka thënë Lekaj për Express.

Autostrada që mban emrin e politikanit shqiptar të Maqedonisë së Veriut, Arbën Xhaferi, sipas kontratës fillestare parashihej që t’i kushtonte shtetit rreth 600 milionë euro.  Por, gjithçka ndryshoi me fillimin e punimeve.

Për shkak të mosrespektimit të kontratës, kompania amerikano-turke kishte detyruar Qeverinë e Kosovës të paguaj 53.1 milionë euro.

Arsyet ishin për zvarritje të punimeve, si dhe për vonesa në pagesa të mjeteve në të kundërtën kushtëzuan se i ndërpresin punimet në Autostradën “Arbën Xhaferi” për ta dërguar lëndën në Arbitrazhin ndërkombëtar.

Menjëherë pas këtij paralajmërimi, Qeveria Haradinaj mori vendim që ta shlyejë këtë borxh. Kyeministri Ramush Haradinaj pati thënë se po i ndajnë këto para për të mos u përballur me procese gjyqësore.

Ky vendim i të parit të ekzekutivit është vënë nën llupën e organeve të hetuesisë.

Kryeprokurori i shtetit, Aleksandër Lumezi kishte konfirmuar se Prokuroria dhe Policia Hetuese janë duke mbledhur të dhëna lidhur me ndarjen e 53 milionë eurove shtesë për këtë kompani.

“Prokuroria, së bashku me Policinë Hetuese, do të mbledhë të dhëna dhe informacione të nevojshme për t’u siguruar se a ka dyshim të arsyeshëm se a është kryer ndonjë vepër penale për të cilën ndjekja ndërmerret sipas detyrës zyrtare“,kishte thënë Lumezi.

Pas më shumë se gjysmë dekade punime, kjo autostradë arriti që të përurohej tek më 29 maj të këtij viti. Në ceremoninë e përurimit morën pjesë krerët e shtetit, përfaqësues të Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi dhe ambasadorë të akredituar.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme