Përpjekja e një grupi deputetësh të Kuvendit të Kosovës për të zhbërë Gjykatën Speciale përmes shfuqizimit të Ligjit për Dhomat e Specializuara, ka dështuar, për faktin se Kryesia e Kuvendit të Kosovës, në dy tentime nuk arriti të siguronte kuorum për të thirrur një seancë të jashtëzakonshme.
Kjo përpjekje po cilësohet si joserioze, e madje po krahasohet edhe me tentimet e mëhershme të liderëve politikë për të shfuqizuar koalicionet qeveritare, sikurse ajo e “Zanzi bar-it”.
Politologu Adem Beha, në një intervistë për Koha.net, ka thënë se përpjekjet e këtilla janë joserioze dhe që vijnë nga një elitë politike po ashtu joserioze.
“Liderët partiakë kanë supozuar se mund të shfuqizojnë Gjykatën Speciale me të njëjtën logjikë sikur kanë tentuar t’i shfuqizojnë koalicionet qeveritare dikur në ‘Zanzi Bar’. Kjo mendësi tregon për joseriozitetin e këtij lidershipi kundrejt shtetit, qytetarëve dhe obligimeve ndërkombëtare. Ajo që duhet të shfuqizohet është pikërisht kjo kulturë politike zanzibariane që mund ta hasesh te shumica e partive politike në Kosovë”, ka thënë Beha ligjërues në Departamentin e Shkencave Politike në Universitetin e Prishtinës .
Ai thotë se Gjykata Speciale ka ardhur si rezultat i papërgjegjësisë së këtij lidershipi politik që t’i jap vendit drejtësi, viktimave paqe, dhe kriminelëve ndëshkim.
Në këtë intervistë Beha flet në detaje për atë se si erdhi Gjykata Speciale. Tregon gjithashtu se a mund të zhbëhet kjo Gjykatë.
Koha.net: Si i keni parë zhvillimet e fundit në Kuvendin e Kosovës, rreth përpjekjes së pushtetit për ta shfuqizuar Ligjin për Dhomat e Specializuara të Gjykatës Speciale? Pse kjo nguti?
Beha: Këto përpjekje i shoh si joserioze të një elite politike joserioze. Liderët partiakë kanë supozuar se mund të shfuqizojnë Gjykatën Speciale me të njëjtën logjikë sikur kanë tentuar t’i shfuqizojnë koalicionet qeveritare dikur në Zanzi bar. Kjo mendësi tregon për joseriozitetin e këtij lidershipi kundrejt shtetit, qytetarëve dhe obligimeve ndërkombëtare. Ajo që duhet të shfuqizohet është pikërisht kjo kulturë politike zanzibariane që mund ta hasësh te shumica e partive politike në Kosovë.
Koha.net: A mund ta kujtojmë edhe njëherë, si rrodhën ngjarjet për themelimin e një Gjykate Speciale?
Beha: Duhet të rikujtoj se kjo Gjykatë Speciale ka ardh si rezultat i papërgjegjësisë së këtij lidershipi politik që t’i japë vendit drejtësi, viktimave paqe, dhe kriminelëve ndëshkim. Sikur të ekzistonte një konsensus politik pas 1999 për krijimin e një gjykatë të tillë për ndjekjen e krimeve të supozuara, Kosova do të ishte më afër demokracisë e më larg autoritarizmit, më afër BE-së dhe më larg izolimit, më afër shtetit konstitucional e më larg shtetit rentier. Baza e kësaj gjykate duhet kërkuar tek supozimet të u hodhën për herë të parë të memoaret e Carla Del Ponte.
Në memoaret e saj, “Zonja Prokurore: Konfrontimet me kriminelët më të këqij të njerëzimit dhe kultura e Mosndëshkimit”, Carla Del Ponte hedh dyshimet e para mbi përfshirjen e ish pjesëtarëve të UCK-së në krime kundër njerëzimit, krime lufte dhe krime të tjera mbi bazën e cilave dyshime, më vonë, do të hartohej raporti i Dick Martit dhe themelohej Gjykata Speciale. Del Ponte nis kapitullin për Kosovën me fjalinë se “dhuna, frika dhe varfëria i heshtin dëshmitarët”. Ajo shpjegon vështirësitë në ndjekjen e krimeve të luftës në një vend si Kosova pa institucione të mirëfillta, me një popullsi shqiptare që ende nuk i kishte gjetur dhe varrosur të vrarët e tyre, ku mungonte fare praktika e sundimit të ligjit, përjashtuar këtu kodin lex talionis, që më shumë kishte të bënte me një kod hakmarrjeje të përshkruar nga Homeri dhe tragjedianët e moçëm grekë. Sipas Del Pontes, derisa UNMIK synonte të krijonte rend dhe ligj, përkundër burimeve të kufizuara, liderët ushtarak të UCK-së e portretizuan veten si mbrojtës heroikë të një populli të viktimizuar, kërkuan pushtet politik dhe “përdorën dhunën për të çrrënjosur armiqtë dhe kundërshtarët. Krimet e supozuara për të cilat akuzohet kreu i UCK-së në memoaret e Del Pontes dalin nga më të llahtarshmet. Aty përmenden 100 deri në 300 persona (ky numër përdoret me një paprecizitet të lartë nga Del Ponte) të rrëmbyer dhe të transportuar nga Kosova në Shqipëri, të cilët ishin vendosur në Kukës, Tropojë dhe Burrel.
Më 2008, Komisioni Parlamentar për Çështjet Ligjore dhe të Drejtat e Njeriut në Këshillin e Evropës, emëroi senarotin Dick Marty për të hetuar këto pretendime dhe në janar 2011 Asambleja Parlamentare e KE-së miratoi raportin e tij. Raporti pandeh dy lloj akuzash: akuzat e para kanë të bëjnë me vrasjet, paraburgimet dhe zhdukjen e pjesëtarëve të pakicave dhe kundërshtarëve politikë shqiptarë nga pjesëtarë të UÇK-së gjatë kohës së luftës dhe pas luftës, kurse lloji i dytë i akuzave ka të bëjë me vrasjet, nxjerrjen e organeve dhe trafikimin e tyre. Meqenëse Tribunali i Hagës kishte mandat që të gjykonte krimet e ndodhura gjatë luftës në territorin e ish-Jugosllavisë dhe jo krimet e ndodhura pas luftës, një pjesë e pretendimeve të raportit të Dick Martyt për krimet pas qershorit 1999, respektivisht pas luftës nuk mund të adresoheshin brenda Tribunalit. Rrjedhimisht, BE, dhe jo OKB, siç pritej krijoi një Task Force për të hetuar krimet e pretenduara në raportin e Dick Martyt. Clint Williamson, prokuror i Task Forcës Speciale Hetimore, nuk i hodhi poshtë pretendimet e Martyt, përkundrazi tha se ka dëshmi të mjaftueshme për ngritjen e aktakuzave ndaj zyrtarëve të lartë të UÇK-së. Në prill 2014, deputetët e Kuvendit të Kosovës, me 89 vota dhe 22 kundër, ratifikuan marrëveshjen Kosovë-BE që t‘i hapte rrugë themelimit e Gjykatës Speciale.
Specialja erdhi nga dështimi i lidershipit për t’i dhënë vendit drejtësi, viktimave paqe e kriminelëve ndëshkim, thotë Beha
Koha.net: Ku e shihni arsyen për krijimin e një Gjykate të tillë?
Beha: Njëra prej arsyeve kryesore për krijimin e një tipi të tillë të gjykatës dhe vendosjen e saj jashtë Kosovës ishte mungesa e kapaciteteve, si të EULEX-it ashtu edhe institucioneve të Kosovës, për mbrojtjen e dëshmitarëve. Në fakt, rreth mbrojtjes së dëshmitarëve edhe në proceset e mëhershme gjyqësore të zhvilluara në Kosovë, kanë dështuar si mekanizmat e drejtësisë vendore ashtu edhe EULEX-i – ndonëse ky i fundit ka pasur në dispozicion të gjitha kapacitetet e duhura për t’i mbrojtur dëshmitarët. UNMIK dhe EULEX së bashku kanë arritur që të gjykojnë vetëm 78 raste të krimeve të luftës në Kosovë. Ky është ‘dështim hibrid’ – edhe lokal edhe ndërkombëtar. Kosova së bashku me këto dy misione ka dështuar që të mbroj dëshmitarët, sjell drejtësi për viktimat dhe ndjek kryerësit e veprave kriminale.
Koha.net: A mund të zhbëhet Specialja?
Beha: Gjykata Speciale nuk mund të zhbëhet pa u ndryshuar Kushtetuta e Kosovës, respektivisht neni 162 me të cilin janë themeluar Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar. Kurse ndryshimi i Kushtetutës së Kosovës, momentalisht, pa aprovimin e Listës Serbe është i pamundur. Neni 144 i Kushtetutës së Republikës së Kosovës parasheh se 1/4 e deputetëve të Kuvendit mund të propozojnë ndryshimin e Kushtetutës dhe çdo ndryshim kërkon 2/3 e të gjithë deputetëve të Kuvendit, përfshirë 2/3 e deputetëve të komuniteteve joshumicë dhe se ndryshimet mund të miratohen në Kuvend vetëm pasi amandamentet janë provuara si kushtetuese nga Gjykata Kushtetuese.
Duhet ta rikujtojmë gjithë procesin. Në prill 2014, deputetët e Kuvendit të Kosovës, me 89 vota dhe 22 kundër, ratifikuan marrëveshjen Kosovë-BE që t’i hapte rrugë themelimit e Gjykatës Speciale. Për të mundësuar themelimin e saj, do të duhej të amandamentohej Kushtetuta e Kosovës. Qeveria e Kosovës i kishte propozuar Kuvendit një amandament me 7 mars. Më 9 mars 2015, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, e kishte dërguar të njëjtin amendament në Gjykatën Kushtetuese për ta vlerësuar kushtetutshmërinë e tij. Sipas këtij amendamenti, Kushtetutës së Kosovës do t’i shtohej neni 162. Neni 162 themelonte Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar. Përkundër faktit se Lëvizja Vetëvendosje në komentet e veta dërguar Gjykatës Kushtetuese argumentonte se ky amendament synonte të krijonte paralelizëm në sistemin gjyqësor të Kosovës, Gjykata Kushtetuese argumentoi se amendamenti i propozuar kishte 4 elemente strukturore, të cilat ndërlidhen me sistemin e drejtësisë në Kosovë: 1) themelimi i dhomave të specializuara në kuadër të sistemit të drejtësisë së Kosovës; 2) krijimi i Zyrës së Prokurorit të Specializuar; 3) themelimi i një dhome të specializuar në kuadër të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës dhe 4) emërimi i një Ombudspersoni të veçantë të dhomave të specializuara.
Më 15 prill 2015, Gjykata Kushtetuese e Kosovës, në aktgjykimin e saj 18 faqesh kishte konstatuar se ky amendament nuk pakësonte të drejtat dhe liritë e njeriut të përcaktuara me Kapitullin II dhe III të Kushtetutës së Kosovës. Në seancën e Kuvendit të Kosovës, të mbajtur më 26 qershor 2015, koalicioni PDK-LDK e kishte vendosur në rendin e ditës këtë amendament për miratimin e ndryshimeve kushtetuese, por nuk kishte arritur ta merrte miratimin e deputetëve në Kuvendin e Kosovës. Kundër ndryshimeve kushtetuese përmes këtij amendamenti dhe hapjes së rrugës për themelimin e Gjykatës Speciale ishin VV, AAK dhe Nisma. Në anën tjetër, gati dy muaj më vonë, më 3 gusht 2015, koalicioni PDK-LDK i siguroi 82 vota, të nevojshme këto për ndryshimet kushtetuese dhe, po të njëjtën ditë, Kuvendi i Kosovës miratoi Ligjin Nr/05/L-053 për Dhoma të Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.
Gjykatat ad hoc, të tipit të Gjykatës Speciale, kanë treguar sukses relativisht të mirë aty ku janë instaluar, dhe tashmë njihen si gjykata ndërkombëtare të gjeneratës së tretë, pra, pas atyre të Nurembergut dhe Tokios (gjenerata e parë), dhe Gjykatave Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavi dhe Ruandë (gjenerata e dytë). Megjithatë, Gjykata Speciale në Kosovë dallon thellësisht nga Gjykata Speciale e Libanit, Dhomat e Jashtëzakonshme në Gjykatat e Kamboxhes dhe Gjykata Speciale për Sierra Leonen. Të tria këto janë krijuar me marrëveshje ndërkombëtare mes OKB-së dhe vendit respektiv dhe janë konsideruar gjykata hibride, për faktin e përfshirjes së vendorëve qoftë si prokurorë apo gjyqtarë në procese gjyqësore. Ligji për Dhomat Speciale dhe Prokuroria Speciale e Kosovës (Gjykata Speciale) u themelua me ligj të brendshëm por, përkundër kësaj, as gjyqtarët as prokurorët vendorë nuk do të jenë pjesë e kësaj gjykate.
© KOHA.