Të gjitha punët dekorative për trenin “Kosova është Serbi”, që është dashur të qarkullonte në relacionin Beograd – Mitrovicë, kanë kushtuar 498 mijë dinarë (rreth 4.000 euro), ka deklaruar zëvendësdrejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë Dushan Kozarev, transmeton Koha.net.
Ai ka vlerësuar se ky çmim është simbolik dhe se ky tren ka mundur të jetë një gjë e bukur për Serbinë, sidomos për të rinjtë.
“Fakti se dikujt nuk i pëlqen mesazhi, nuk do të thotë se ne nuk do ta përsërisim… Kosova për ne gjithmonë do të jetë zemra e Serbisë”, citon b92 të ketë thënë Kozarev sot duke raportuar për punën e Zyrës për Kosovën në vitin 2017.
Treni me mbishkrimet në 21 gjuhë “Kosova është Serbi, më 14 janar 2017 ishte nisur nga Beogradi për në Kosovë.
Pas paralajmërimeve nga Qeveria e Kosovës se atij nuk do t’i lejohej hyrja në territorin e saj, treni ishte ndaluar në stacionin e fundit afër kufirit me Kosovën, në Rashkë dhe ishte kthyer në Beograd.