Sekretari i përgjithshëm i LDK-së dhe deputet i Kuvendit të Kosovës nga radhët e kësaj partie, Ismet Beqiri, ka akuzuar Qeverinë Haradinaj për dështime në punën e saj dhe kërkon përgatitje për zgjedhje të reja.
Ai në një postim në Facebook shkruan se LDK-ja do të konsultohet me strukturat e veta rreth një mocioni mosbesimi ndaj qeverisë dhe shpreson se do të kenë mbështetjen edhe të partive tjera opozitare.
“Qeveria aktuale e brishtë dhe e pakicës, Parlamenti dhe Presidenti, janë joefikas, jokredibil dhe me plot dështime. Mos koordinimi total apo koordinim për të keq (ose si duket veprimet pas shpine ndaj njëri-tjetrit e tre krerëve shtetërorë) veçmas ato që ndodhën ditëve të fundit, shtron nevojën e përgjegjësisë së tyre”, ka thënë Beqiri.
Sipas Beqirit, këto ditë ka pasur tentim shfajësimi i secilit për vete dhe fajësimit të tjetrit.
“Kështu liderët shtetërorë nuk mund të vazhdojnë të udhëheqin. Mund të konkludohet se jemi në një lloj kaosi, çrregullimi total qeverisës dhe institucional. Opozita në çdo shtet, në çdo kohë ka synim të shkurtojë jetën qeverisëse të pushtetit, e në rastin tonë, jo vetëm që kjo duhet të bëhet, por për të mirën e vendit nuk duhet të vonohemi”, ka thënë Beqiri.
Beqiri ka thënë se opozita duhet të punojë dhe të përgatiten zgjedhje të reja:
1. NJË QEVERI TEKNIKE për 6 muaj, kohë kjo e nevojshme për të kryer ndonjë punë madhore shtetërore dhe kohë e mjaftueshme për përgatitjen dhe mbajtjen e zgjedhjeve të reja Parlamentare ose
2. MOCION MOSBESIMI ndaj qeverisë dhe zgjedhje të jashtëzakonshme.
“Për këtë ne si LDK, strukturat tona kompetente dhe vendimmarrëse do të bëjmë konsultimet, takimet e nevojshme dhe pa vonesë e në kohën e duhur do të dalim me qëndrime dhe veprime konkrete. Shpresojmë që edhe subjektet tjera, jo vetëm ato opozitare, do të na mbështesin. Me përgatitjet e duhura dhe koordinim me të tjerët, kjo mund dhe do të duhej të bëhet”, ka thënë Beqiri, përcjell Koha.net. “Këtë e shohim si shpresë të vetme për të tejkaluar këtë gjendje, me një Parlament të ri dhe Qeveri të re, e dal nga votat e qytetarëve dhe nën udhëheqjen e LDK-së. Kështu siç po punohet dhe veprohet tani, nuk udhëhiqet shteti, përkundrazi ai po dëmtohet dhe rrezikohet”, ka thënë Beqiri në fund.