Veprimtarë e protagonistë të ngjarjeve të viteve ‘90, historianë e politikanë, morën sot pjesë në një konferencë mbi 27 vjetorin e rrëzimit të monumentit të diktatorit Enver Hoxha.
Ish-presidenti i Republikës së Shqipërisë, Sali Berisha, tha në konferencën e organizuar nga Fondacioni Konrad Adenauer, se rrëzimi i monumentit ishte ngjarja më kulmore e fundit të diktaturës.
Berisha tha se diktatura komuniste e Ramiz Alisë vrau dhe burgosi shqiptarët deri ditën e fundit.
“Diktatura e dytë ishte ajo e mjerimit e ndërtuar qëllimisht nga diktatori Enver Hoxha, por qytetarët e tejkaluan. Diktatura e tretë ishte kulti i individit. Sot është jashtë imagjinate ajo periudhë e errët”, tha Berisha, raporton Zëri i Amerikës.
Ai tha se kulti i Enver Hoxhës ishte qëllimi kryesor i lëvizjes antikomuniste, ndaj mjediset universitare u kërkua të zbrazeshin nga bustet dhe fotot e diktatorit.
“Lëvizja studentore u mbështet nga sindikatat dhe qytetarët. Atë ditë Ramiz Alia dha urdhër në një mbledhje ushtarake që të qëllohej mbi protestuesit. Kjo është e vërteta, që urdhri u dha, por mbetet në meritën e atyre që nuk qëlluan mbi qytetarët”, tha Berisha.
Ai tha se Neritan Ceka shmangu një gjakderdhje, kur bindi protestuesit që të mos shkonin drejt “Bllokut” të zbrazur të udhëheqjes komuniste.
“Qytetarët ishin të vendosur të rrëzonin kultin e diktatorit Enver Hoxha dhe e arritën këtë”, tha ai.