Kreu i PD-Demokratët Euroatlantikë, Lulzim Basha, i është përgjigjur deklaratës së ish-kryeministrit Sali Berisha, i cili tha se nuk ka asnjë mundësi që Basha të jetë pjesë e listës së PD-së në zgjedhjet parlamentare, që do të zhvillohen më 11 Maj 2025.
Përmes një reagimi në llogarinë e tij në facebook, Basha shkruan se ish-kryeministri është shndërruar në një mjet të Edi Ramës, duke e ndihmuar në zhvendosjen e vëmendjes nga aferat korruptive të qeverisë dhe lidhjet e saj me krimin.
Sipas tij, Berisha ka pranuar mbështetjen e Ramës për interesa personale, duke lënë në hije opozitën dhe duke dëmtuar kauzën demokratike.
Reagimi i Bashës:
Fatkeqësisht, dosjet e Sali Berishës e kanë kthyer atë në asetin e Edi Ramës, të cilin e përdor për të mbajtur debatin publik larg aferave të panumërta korruptive të qeverisë dhe lidhjeve të saj të tmerrshme me krimin. Është e turpshme, që Berisha pranon të jetë nën patronazhimin e Edi Ramës, të cilit i dha votat për të amnistuar të korruptuarit e tij, për mbylljen e listave, për pazarin e radhës me Gjykatën Kushtetuese, dhe në këmbim, mori vulën përmes një vendimi skandaloz, që Berisha e përdor jo për t’i shërbyer opozitës, por problemeve të tij me drejtësinë. Është e kuptueshme, që politikisht Berisha nuk mund të ekzistojë pa një armik, kështu që, për sa kohë Trekëndëshi i Bermudës po shtrëngon radhët në përballjen me SPAK-un, i ngelem vetëm unë me të cilin mund të merret për të hedhur në publik shashka qesharake. Ndaj jemi më të vendosur se kurrë për të mos i lënë demokratët pa alternativën e duhur dhe të besueshme, me të cilën të ndihen të përfaqësuar, të nderuar dhe jo të tradhëtuar.