Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq ka komentuar të gjitha ngjarjet e fundit në raport me Kosovën. Ajo ka vazhduar kundërshtimin e krijimit të ushtrisë së Kosovës dhe insistoi se nuk do të kthehen në dialog derisa ekziston vendimi për taksë prej 100 për qind për mallrat nga Serbia.
Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq ka deklaruar se formimi i ushtrisë së Kosovës dhe deklaratat e fundit nga zëdhënësi i KFOR-it paraqesin “shkelje të gjitha marrëveshjeve”.
Duke insistuar se formimi i ushtrisë së Kosovës paraqet shkelje të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit në OKB, marrëveshjen e Brukselit dhe vetë Kushtetutën e Kosovës, Bërnabiq theksoi se NATO “qartë dhe prerë” e ka shfaqur kundërshtimin e formimit të forcave të sigurisë në një mënyrë të tillë, përcjell lajmi.net. Ajo tha se Serbia nuk do të lejojë që “të bëhet kështu”.
“Sa i përket hyrjes së ROSU-së në veri të Kosovës, deri më tani kishim pesë raste të tilla për të cilat kam biseduar me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, dhe i kam thënë se paraqesin shkelje të gjitha marrëveshjeve të deritashme andaj ata nuk guxojnë të hyjnë me tyta të gjata në veri të Kosovës”, u shpreh Bërbabiq për “RTS”, transmeton lajmi.net.
Sipas saj, presidenti dhe Qeveria e Serbisë janë aktiv në mënyrë që tek të gjithë akterët ndërkombëtare, përfshirë shtetet që e kanë njohur Kosovën dhe mbështetur formimin e forcave të armatosura dhe ata që janë kundër saj, ta dëshmojnë se janë shkelur të gjitha marrëveshjet duke ua përkujtuar edhe Rezolutën 1244.
Duke komentuar vendimet e Prishtinës për rritje të taksës në 100 për qind për mallrat e importuara nga Serbia, Bërnabiq theksoi se kjo është “politikë e papërgjegjshme dhe e paparashikueshme”, duke shtuar se vendimi ka një aspekt pozitiv pasi “më në fund edhe të tjerët janë njoftuar për çfarë politike bëhet fjalë”.
“Mendoj se i ka hyrë Prishtinës në kokë, kanë menduar se do të reagojmë me masa të kundërta, andaj nuk e dinë se çfarë të bëjnë me ato taksa kur e kanë parë se jemi duke reaguar me përgjegjësi dhe në mënyrë racionale”, u shpreh ajo, transmeton lajmi.net.
Ajo shtoi se Brukseli i ka dhënë mirënjohje Beogradit që nuk reagoi me masa të kundërta dhe kështu ndihmoi paqen dhe qetësinë në regjion. Bërnabiq theksoi se Beogradi nuk do të kthehet në dialog derisa mbetet në fuqi vendimi për taksën 100 për qind dhe shtoi se Brukseli “e kupton dhe e mbështet” qëndrimin e tyre.
Duke folur për letrën e presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump për presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, kryeministrja serbe theksoi se në letër kuptohet një thirrje për Prishtinën që “të shfaq më shumë kuptim dhe t’i ndërpresë provokimet që paraqesin pengesë për dialog”.
“Mendoj se e kanë pësuar pak nga SHBA-ja”, vlerësoi ajo. E pyetur në lidhje me përfshirjen e SHBA-së, Rusisë dhe Kinës në dialog, ajo theksoi se nuk do të shkonte kaq larg tani, sepse dialogu nuk ekziston.
“E tëra është e bllokuar, kemi bërë 50 hapa prapa jo vetëm në kuptimin e dialogut por edhe për atë që BE, sidomos Gjermania, kanë punuar në stabilitetin e regjionit. Ne kemi nevojë për paqe dhe stabilitet, parakusht për çdo llojë zhvillimi ekonomik është paqja dhe stabiliteti regjional”, përfundoi ajo.