Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, në një intervistë për “Radio Economist”, ka thënë se nuk guxon të përmend “pavarësinë e Kosovës” sepse kështu do të hapej kutia e Pandorës.
Në këtë intervistë, Bërnabiq ka folur edhe për të ardhmen e Serbisë duke thënë se vendi i saj është i interesuar të anëtarësohet në BE.
Në pyetjen në lidhje me Tribunalin e Hagës dhe për Srebrenicën, kryeministrja serbe ka thënë se në Srebrenicë ka ndodhur një krim i rëndë për ç’gjë ndihet keq, por se nuk mendon se ka qenë gjenocid.
“Nuk mendoj se ka qenë gjenocid. Ka qenë një krim shumë i rëndë. E kam të vështirë të flas për të. Një krim për të cilin ndihem keq, për shkak të të cilit më vjen turp sepse është kryer në emër të serbëve, krim që krijoi një pamje të serbëve që nuk duhet të krijohet, imazh të serbëve si popull konservator dhe homofob. Por serbët nuk janë të tillë, serbët janë të hapur, të sjellshëm, të përzemërt, që nuk i vlerësojnë të tjerët për atë që janë, por janë njerëz të mirë apo të këqij. Njerëz që në fund të fundit nuk i gjykojnë të tjerët në baza të kombësisë së tyre. Ndihem shumë keq për vitet e ’90-ta dhe për ato që janë bërë në emër të serbëve”, ka thënë Bërnabiq, transmeton Koha.net.
Kryeministri serbe nuk mendon se Tribunali i Hagës ka përmbushur drejtësinë dhe ka kontribuar me të vërtetë në pajim.
Në pyetjen se çka ka mundur të bëhet ndryshe, Bërnabiq ka thënë se nuk do t’i kundërshtojë vendimet, por do të flasë për njerëzit që nuk janë gjykuar.
“Mendoj se kemi pasur krime të rënda në operacionin ‘Stuhia’, më shumë se 250.000 njerëz janë dëbuar nga Kroacia, ka pasur spastrim etnik, ka pasur mbi 2 mijë të vrarë, dhe ata njerëz kanë qenë ose invalidë ose të moshuar, por në fund të ditës askush s’ishte përgjegjës, të gjithë gjeneralët u liruan”, tha ajo.
Në vërejtjen se kroatët e Bosnjës janë gjykuar, ajo vuri në dukje se myslimanët e Bosnjës nuk u gjykuan.
“As nga pala kosovare, e ashtuquajtura Kosovë. UÇK, nuk mund të thoni se nuk ka pasur krime kundër serbëve dhe jo-shqiptarëve tjerë, por që të gjithë janë liruar”, tha shefja e Qeverisë serbe.
Bërnabiq shtoi se qëllimi i saj përfundimtar është që të gjitha këto t’i lëmë prapa dhe të shikojmë kah e ardhmja.
Tha se ish-Jugosllavia ka qenë një vend i mrekullueshëm me potencial të madh, por se nuk do të eksperimentonte me diçka të tillë sërish.
“Do të doja të shihja një Ballkan të bashkuar, pa kufij, i cili punon bashkë, i cili është pajtuar”, u shpreh ajo.