Sipas kumtesës së qeverisë serbe, kryeministrja serbe ka pretenduar se Serbia “do të mbetet e përkushtuar për vazhdimin e reformave dhe për bashkëpunimin rajonal”, si dhe për “dialogun me Kosovën”. Ajo, si zakonisht, edhe kësaj here i ka përsëritur frazat e shefit të tij, “se konflikti i ngrirë nuk është zgjidhje dhe se për formimin e Asociacionit është dakorduar me Marrëveshjen e Brukselit”, transmeton Paparaci.
“Përkundër të gjitha sfidave, ne vazhdojmë të udhëheqim një politikë “të përgjegjshme” që ruan stabilitetin, paqen dhe interesat kombëtare të vendit tonë, dhe çështja e mbrojtjes së pakushtëzuar dhe garantimit të sigurisë së pjesëtarëve të komunitetit serb në Kosovë është po aq e rëndësishme për Serbinë”, ka pretenduar ajo.
Kryeministrja serbe ka thënë se Serbia i “kushton shumë rëndësi promovimit të tolerancës dhe mos diskriminimit, çështjeve të lirisë së mediave dhe sigurisë së gazetarëve”.
Sipas saj, “Serbia e vlerëson dhe e mbështet punën e misionit të OSBE-së në vendin me të cilin ka bashkëpunim të partneritetit të bazuar në mirëkuptim të ndërsjellë dhe shprehu pritjen e saj për vazhdimin e marrëdhënieve të tilla”.
Ambasadorët e QUINT-it kanë thënë se Ballkani Perëndimor është një rajon jashtëzakonisht i rëndësishëm për OSBE-në, si dhe për qeveritë e Francës, Gjermanisë, Italisë, Britanisë së Madhe dhe SHBA-së dhe e kanë theksuar rëndësinë e vazhdimit të arritjes së progresit konkret në dialogun me Kosovën me mbështetjen e BE-së dhe mbështetjen e të pesë vendeve.
Gjatë ditës, ambasadorët kanë biseduar edhe me presidentin serb Aleksandar Vuçiq dhe ministrin e jashtëm serb, Ivica Daçiq.