BERZH: Ekonomitë e Ballkanit Perëndimor janë 200 vjet larg BE-së

Vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të merren vet me produktivitetin e tyre të ulët dhe t’i përshpejtojnë reformat, përndryshe do t’u duhen 200 vjet për të mbërritur standardet e jetesës së shteteve të BE-së ku shpresojnë të anëtarësohen, ka thënë të hënën Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim.

Kosova, Shqipëria, Maqedonia, Mali i Zi, Bosnja dhe Serbia kanë ngecur si pasojë e institucioneve të dobëta, korrupsionit dhe dominimit qeveritar në disa industri, ka thënë më tej BERZH-i, raporton Reuters.

Mesatarja e GDP-së për kokë banori për të gjashtë vendet, që ende vuajnë pasojat e luftërave etnike të viteve të ’90-ta, është sa gjysma e 11 shteteve anëtare të BE-së nga Evropa Lindore, siç janë Polonia apo Hungaria, dhe vetëm sa çereku i shteteve tjera më të avancuara evropiane.

“Problemi themelor që po pengon zhvillimin ekonomik të rajonit është produktiviteti i ulët”, ka thënë BERZH-i në raportin e saj, të publikuar në Samitin Investues të bankës për Ballkanin Perëndimor. “Kjo reflekton vite të tëra të nën-investimeve, institucioneve të dobëta dhe ambientit të vështirë biznesor”, transmeton Koha.net.

Derisa sektori privat ishte kontribuuesi kryesor i rezultateve ekonomike në gjashtë vendet, qeveritë shpesh kanë dominuar industritë kryesore, me programe domethënëse të privatizimit përpara.

Prodhimi i sektorit privat në mbarë Ballkanin Perëndimor është 60 për qind e nivelit të përgjithshëm të BE-së.

Në skenarin bazik të BERZH-it, që ka përdorur shkallët mesatare të rritjes vjetore për vitet 2001-2016 me 3.2 për qind për Ballkanin Perëndimor dhe 1.4 për qind në BE, raporti thotë se gjashtë vendet mund të arrijnë mesataren e GDP-së për kokë banori të BE-së në rreth 60 vjet.

Megjithatë, BERZH-i ka theksuar se shpejtësia e konvergjencës ishte ngadalësuar dukshëm në gjashtë vjetët e fundit. Rajoni arriti rritje mesatare vjetore prej vetëm 1.2 për qind në vitet e pas-krizës 2009-2016 në krahasim me 5.3 për qind në periudhën para-krizës 2001-2008.

Prandaj, duke përdorur një skenar më pesimist sipas shkallëve të rritjes në periudhën pas-krizës, Ballkani Perëndimor mund të arrijë të përafrohet me BE-në në mbi 200 vjet, thotë banka, ndërsa barazia mund të arrihet tek më 2220.

Një skenar optimist duke përdorur shkallët e rritjes para krizës do t’i mundësonte Ballkanit Perëndimor të mbërrinte BE-në në më pak se 40 vjet, deri më 2053.

“Shpejtësia e arritjes do të varet nga ritmi i adresimit të sfidave që pengojnë rajonin nga zhvillimi i potencialit të tij të plotë”, thotë raporti, transmeton Koha.net.

“Bashkërendimi i plotë me BE-në do të kërkojë nga shtetet të zbatojnë një agjendë të vendosur dhe gjithëpërfshirëse të reformave drejt rritjes së produktivitetit dhe investimit”, thotë BERZH-i.

© KOHA

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme