BESA dhe LSDM befasitë e vitit 2016

Shqiptarët e Maqedonisë arritën të bëhen kryetemë  në gjitha rajonet shqipfolëse pas rezultatit të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Maqedoni. Arsyeja ishte përmbysja e një sistemi qeverisës që i udhëhoqi ata për më shumë se një dekadë. Partia e Nikolla Gruevskit, VMRO – DPMNE nga 63 mandate, ra në 51 deputetë, duke u barazuar thuajse me LSDM e cila siguroi 49 mandate falë edhe votave të shqiptarëve. Inkuadrimi i shqiptarëve në LSDM dhe vota e tyre për këtë subjekt politik maqedonas, ishin edhe befasia e zgjedhjeve që prodhuan një realitet të ri politik.

Befasi tjetër ishte edhe depërtimi i Lëvizjes BESA furishëm në skenën politike të Maqedonisë. Politikanë të rinj, profesionistë, pa hipoteka, arritën që ta kanalizojnë drejt lëvizjes së tyre politike frymën e pakënaqësisë së shqiptarëve të Maqedonisë. Fillimisht me protesta masovike kundër qeverisjes së partnerëve VMRO – DPMNE, e më pas me një shtrirje të gjerë në tërë territorin e Republikës së Maqedonisë, Lëvizja BESA arriti të përgjysmojë forcën politike të BDI – së, e cila nga 153 mijë vota apo 20 mandate, u përgjysmua dhe ra në 85 mijë vota – 10 mandate. 58 mijë votat e Lëvizjes BESA ishin dëshmi e ardhjes së një kaste të re politike, e cila zotohet se do të jetë e pakompromis ndaj atyre që harxhuan të ardhmen e shqiptarëve të Maqedonisë dhe me dështimet e tyre e aferat korruptive, ndikuan që të nëpërkëmben edhe të drejtat e tyre elementare.

Gjykuar nga ky këndvështrim, shqiptarët e Maqedonisë dëshmuan pjekurinë më të lartë në këto zgjedhje duke shkaktuar me votën e tyre lëvizje tektonike politike. Ata u bënë kryetemë e diskutimeve në Shqipëri dhe Kosovë dhe për herë të parë dërguan mesazhin e qartë gjithandej, se Maqedonia mund të ekzsitojë vetëm për aq kohë sa shqiptarët e dëshirojnë një gjë të tillë. Se një shtet i brishtë, me sistem të dështuar të drejtësisë, me politikanë të inkriminuar në afera të ndryshme korruptive, me probleme identitare dhe pushtetarë që nxisin gjuhën fashiste, nuk mund të ekzistojë edhe për gjatë kohë nëse nuk lexohet drejtë kalendari i këtyre ndryshimeve dramatike politike./Sakte.net